Kadri Veseli lindi më 31 maj 1967 në komunën e Mitrovicës. Veseli filloi studimet në vitin 1990 në Fakultetin e Agrikulturës.
Veseli u zgjodh Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës në dhjetor të vitit 2014 dhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në maj të vitit 2016.
Kryetari i Kuvendit për pothuajse një dekadë ishte udhëheqës i Shërbimit Informativ të Kosovës.
Në ueb-faqen e PDK-së thuhet se ai gjithashtu ishte një nga figurat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në të njëjtën kohë, ka mbështetur në mënyrë aktive procesin e paqes në Rambuje. Në këtë proces, Veseli, ka shërbyer si Këshilltar i jashtëm në Delegacionin e Kosovës.
Veseli ishte një nga udhëheqësit e rinj të Lëvizjeve studentore, gjatë viteve 1988 – 1990, kundër shkeljes së të drejtave të njeriut të shqiptarëve në Kosovë, dhe për njohjen e të drejtës për pavarësi.
Kadri Veseli, aktualisht, është kandidat për doktoraturë në Universitetin e Lubjanës, në Slloveni. Ai dhe gruaja e tij Violeta, janë prindër të katër fëmijëve – tre djem dhe një vajzë. /Telegrafi/