Site icon Telegrafi

Profili i Faton Pecit – ministrit të ri të Bujqësisë

Qeveria e re e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti është votuar më 22 mars.

Për formimin e Qeverisë Kurti 2 kanë votuar 67 deputetë, ndërsa kundër kanë qenë 30.

Në Qeverinë Kurti 2 janë 15 ministri, ky dy prej tyre do t’i udhëheqin deputetët e Listës “Guxo”, të Vjosa Osmanit, transmeton Telegrafi.

Faton Peci është emëruar në pozitën e ministrit të Bujqësisë dhe Pylltarisë dhe Donika Gërvalla është emëruar zëvendëskryeministre dhe po ashtu do të udhëheq Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Më poshtë gjeni profilin e ministrit të ri të Bujqësisë, Faton Peci:

Faton Peci ka lindur në qershor të vitit 1982, në Mitrovicë. Ka përfunduar studimet në Shkenca Politike dhe Filozofi në Fakultetin Filozofik, në Universitetin e Prishtinës, si dhe studimet e nivelit Master në Shkenca Politike.

Ai ka shërbyer si Shef i Stafit në Presidencë; Këshilltar politik i Kryetares së Kuvendit; Këshilltar i zv/Kryeministrit si dhe Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ai ishte gjithashtu konsulent i UNDP-së dhe CDF në projekte që ndërlidheshin me përkrahjen e institucioneve, si dhe konsulent i DFID në Ministrinë e Pushtetit Lokal. Ai ishte edhe anëtar i Asamblesë Komunale të Mitrovicës.

Fatoni do të angazhohet në Kuvendin e Republikës që të jetë përfaqësues i zërit qytetar, duke avancuar legjislacionin në shërbim të mirëqenies qytetare e zhvillimit ekonomik. Ai mbështet politika që promovojnë një sistem të arsimit më cilësor dhe shëndetësi më efikase. Ai gjithashtu do të angazhohet që të mbrojë sovranitetin e vendit. Fatoni është përfaqësues i Iniciativës së Vjosa Osmanit në listë.

( Të dhënat për Pecin janë marrë në faqen zyrtare të Vetëvendosjes)

Ndryshe, Kurti në kabinetin e tij do të ketë zëvendëskryeministër Besnik Bislimi, Donika Gërvalla zëvendëskryeministre dhe po ashtu do të udhëheq Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Emilja Rexhepi zëvendëskryeministre.

Ky është Kabineti Qeveritar:

Kryeministër, Albin Kurti

Zëvendëskryeministër i parë për Integrime evropiane, zhvillim dhe dialog, Besnik Bislimi.

Zëvendëskryeministre e dytë dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Zëvendëskryeministre e tretë për çështje të pakicave dhe të drejtat e njeriut, Emilija Rexhepi

Ministër i Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati

Ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia

Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci

Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku

Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi

Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu

Ministër i Bujqësisë, Faton Peci

Ministër i Mbrojtjes, Armend Mehaj

Ministër i Brendshëm dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla

Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari

Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Ministër për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq

Ministër për Zhvillim Rajonal, Fikrim Damka

/Telegrafi/

Exit mobile version