Site icon Telegrafi

Profil: Adele, ylli që këndon me shpirt (Video)

Adele është soul-këngëtarja më e popullarizuar në botë

Këngëtarja me më së shumti shitje gjatë vitit 2015

Më 29 mars 2012 mblodhi qindra mijëra njerëz në koncertin e saj

“Hello” ishte e para që të shkarkohet më shumë se një milion herë në një javë

Në moshën njëzeteshtatëvjeçare, Adele është soul-këngëtarja më e popullarizuar në botë. Kur ajo performon para publikut, shmang krejt format historike të këtij stili. Rrallë improvizon.

Adele Laurie Blue Adkins, e njohur shkurt si Adele, është këngëtare britanike nga Anglia. Ajo filloi të këndojë në vitin 2006 nëpër lokale të ndryshme të Londrës, derisa karriera e saj profesionale filloi në vitin 2008 kur ajo këndoi këngën “Someone like you” në Brit Awards. Adele la publikun gojëhapur dhe menjëherë pas shfaqjes, ajo nënshkroi një kontratë me Columbia Records.

Tani Adele është një nga këngëtaret më të famshme në botë. Kënga e saj “Rolling in the Deep” mbërriti shifrën prej 100 milionë shikimesh në YouTube në gusht 2011 dhe njihet si një ndër këngët më të votuara në Billboard.

Këngët e Adele janë këngë të trishtueshme dashurie, duke përshkruar jetën e saj në këngë, si jetë të vetmuar dhe pa dashuri. Albumi i saj i parë u publikua në vitin 2008 me titull “19” që pati një sukses të madh komercial dhe u certifikua katër herë platin në Britani, ndërsa në Amerikë u certifikua platin dy herë. Në vitin 2009, fitoi dy çmime Grammy, si artisja e re më e mirë dhe si vokali pop më i mirë. Në vitin 2011, këngëtarja hodhi në treg albumin e dytë “21”, i cili u vlerësua nga kritikët e muzikës dhe tejkaloi suksesin e albumit të saj të parë, duke fituar gjashtë çmime Grammy në vitin 2012.

Adele është e vetmja artiste që ka shitur më shumë se tre milionë kopje albumesh brenda një viti në Britani. Ndërsa në Amerikë, këngët “Rolling in the Deep”, “Someone Like You” dhe “Set Fire to the Rain’’ u ngjitën në majat e klasifikimeve. Adele është e vetmja artiste femër, e cila pushtoi, në të njëjtën kohë, tri vendet e para të Billboard Hot 100.  Në vitin 2011 dhe 2012, u cilësua nga revista Billboard si “Artisja e vitit”. Në vitin 2012, Adele gjithashtu u cilësua nga revista Time si një nga njerëzit më me influencë në botë. Në vitin 2013, fitoi një Academy Award dhe një Golden Globe Award për “Skyfall”, në kategorinë Kënga më e mirë origjinale.

Adele, e cila theu rekorde me këngën e saj “Hello” dhe albumin e fundit “25”, është zyrtarisht këngëtarja me më së shumti shitje gjatë vitit 2015. Federata Ndërkombëtare e Industrisë Fonografike, ka thënë se këngëtarja britanike ishte e para në bazë të shitjeve në mbarë botën e regjistrimeve. Albumi i tretë i Adele, i cili erdhi pas katër viteve, ka thyer rekordet për shitje në Shtetet e Bashkuara dhe në Britani.

“Hello” një baladë medituese ishte e para që të shkarkohet më shumë se një milion herë në Shtetet e Bashkuara në një javë. Albumi “25” kishte shitur tetë milionë kopje në SHBA duke u bërë albumi i gjashtë që ka arritur atë prag që nga vitit 2001, kur iTunes dhe risi të tjera të muzikës digjitale kanë tronditur industrinë. Kënga “Hello” u shndërrua edhe në shumë parodi.

Adele Laurie Blue Adkins ka lindur më 5 maj 1988 në Tottenham të Londrës Veriore.  Ajo kishte filluar të këndojë që në moshën katërvjeçare, mirëpo kur u bë 19 vjeçe ajo filloi të dalë publikisht duke pushtuar skenën me zërin e aj. Ndërsa me albumin e saj të fundit, “25”, ka thyer rekorde shitjesh në periudha kohore shumë të shkurtra.

Më 29 mars të vitit 2012, ishte pikërisht moment më i bukur për të, siç kishte thënë edhe vet këngëtarja, pasi ka përjetuar ndjenjën më të mirë duke grumbulluar me qindra mijëra adhurues të muzikës së saj në koncertin e mbajtur në Birmingem, ku pikërisht në këtë vend do të performojë për pak ditë.

Të gjithë e dimë se Adele dëshiron që jetën private ta mbajë vetëm për vete. Ajo përmes albumit të parë ka shfaqur ndjenjën e të qenurit e vetmuar pasi ishte braktisur nga i dashuri për një femër tjetër. Por, këngëtarja gjatë një lidhje të krijuar pak vite më parë, me Simon Christopher Konecki kishte mbetur shtatzënë dhe ka lindur djalin e saj të parë. Për 94 ditë ka mbajtur sekret emrin e djalit – Angelo.

Ishte menduar se Adele, nuk do të mund të këndonte pas problemeve me tejzat e zërit. Mirëpo, tani duket se operacioni shkoi mirë dhe këngëtarja iu rikthye muzikës. Ajo për një vit anuloi të gjitha koncertet. Adele ka njoftuar se do të jetë artistja kryesore e Festivalit të sivjetshëm Glastonbury. “Glastonbury Festival” do të mbahet nga 22 deri në 26 qershor.

Këngëtarja ia dedikon karrierën e saj këngëtares tashmë të ndjerë, Amy Winehouse, duke thënë se është ende e trishtuar nga humbja tragjike e saj.

Ndryshe, Adele ia ndaloi publikisht Donald Trumpit (kandidatit për president në SHBA) për të përdorur këngët e saja në fushatën e tij për president, sepse ajo nuk i ka dhënë leje askujt për të përdorur këngët e saj në çdo fushatë politike.

Adele mbetet e vetmja femër me përmasat e saj fizike si mbi-peshë që pozon për kopertinën e Vogue. Njëherësh thuhet se ajo do të nisë një linjë të veshjeve elegante për nënat që nuk kanë shumë kohë të lirë.

https://www.youtube.com/watch?v=ioLhv3xci_E

Exit mobile version