Karantina në tërë territorin e Italisë, siç kishte ndodhur në tre muajt e parë të pandemisë së coronavirusit, do t’i sillte më shumë dëme vendit sesa dobi, kështu të paktë ka vlerësuar për “Huffington Post”, profesori i spitalit të Milanos “Humanitas”, Paolo Spada.
Në vend të masave që do të vlenin për tërë vendin, Spada sugjeron vënien e masave mbrojtëse në nivel lokal, me qëllim luftimin e përhapjes së mëtejme të COVID-19, transmeton Telegrafi.
Sipas tij, ora policore nga ora 23:00 deri në 5 të mëngjesit, siç edhe aplikohet aktualisht në rajonin e Lombardisë, nuk do të jepte rezultate të mëdha, e ato do të shfaqeshin pas 15 ditëve – aq sa i duhen virusit që të shfaq simptomat e para te një person.
“Masat duhet të ndërmerren më herët, për ta luftuar përhapjen e coronavirusit, e jo pasi që konfirmohet rritja e numrit të rasteve të reja dhe atyre të hospitalizuar. Përkundrazi me këtë veprim rrezikojmë ta gjejmë veten në një situatë që zor se do të mund të kontrollohej”, thotë profesori italian.
Pavarësisht përhapjes së coronavirusit, situata epidemiologjike në Itali sipas Spadas nuk është në nivel siç ishte kur pandemia ishte në kulmin e saj. Ai rikujton se si nga marsi e deri në prill, në Itali në baza ditore kanë qenë 5 mijë raste të reja me COVID-19.
“Tani, pasi shumë muajve përvojë, e dimë se ndoshta ka qenë dhjetë herë më i madh numri. Ajo çfarë na ka mësuar përvoja e deritanishme në luftën kundër coronavirusit, është që duhet testuar sa më shumë persona sepse testet na mundësojnë që në kohë të zbulojmë infeksionet dhe të ndërmarrin masat mbrojtëse”, ka shtuar profesori Spada.
Ekipi shkencor në spitalin “Humanitas” merret me punën e hulumtimeve, kurse ky spital konsiderohet si më i miri i llojit të vetë në Itali. Që nga fillimi i krizës, personeli i “Humanitas” përcjell dhe analizon të dhënat epidemiologjike, kurse vlerësimet e saj vazhdimisht i publikon në profilin e spitalit në Facebook. /Telegrafi/