Site icon Telegrafi

Profesori Ismet Salihu tregon se cilat janë gjasat që Haradinaj të ekstradohet në Serbi 

Profesori i së Drejtës Penale në Universitetin e Prishtinës, Ismet Salihu,  e ka përjashtuar mundësinë që Ramush Haradinaj të ekstradohet në Serbi, pasi ky shtet nuk do të mund ta gjykonte pa ndikim politik.

Gjatë ditës së martë, Ministria e Drejtësisë në Serbi e ka dërguar dokumentacionin në Francë për ekstradimin e Ramush Haradinajt në Serbi.

Shteti serb po pretendon ta gjykojë Haradinajn në gjykatat e Serbisë. Por mundësinë që Haradinaj të ekstradohet në Serbi e ka hedhur poshtë Profesori i së Drejtës Penale, Ismet Salihu.

Salihu ka thënë se shteti serb ka të drejtë që ta kërkojë ekstradimin e Haradinajt për në Serbi. Mirëpo, gjasat që kjo të ndodhë janë zero.

“Është e drejtë e shtetit serb që të dorëzojë kërkesën për ekstradimin e Haradinajt, por për këtë çështje duhet të vendosin autoritetet e Francës. Mirëpo nuk ka gjasa fare që të ekstradohet Haradinaj në Serbi”, ka thënë Salihu.

Ai shpjegon se çështja e ekstradimit të Haradinajt mund të bëhet vetëm nëse personi i ekstraduar nuk mund të ketë gjykim të drejtë, paanshëm dhe korrekt në vendin ku ai gjendet.

“… me Konventën Europiane për ekstradim, një nga pengesat për ekstradim është se nëse dyshohet që personi i ekstraduar nuk do të ketë gjykim të drejtë, paanshëm, korrekt e të tjera si dhe do të ketë ndikim politik. Ky është rast tipik që ky person nuk do të ketë gjykim të drejtë atje, prandaj gjasat që Haradinaj të ekstradohet në Serbi janë zero”, ka thënë tuje profesori i së Drejtës Penale.

Salihu thotë se Haradinaj nuk do të mund të gjykohet për të njëjtat vepra që është gjykuar në Hagë. Sipas tij, është parim në drejtësinë ndërkombëtare që nëse shteti i Francës ka të dhëna të reja për Haradinajn, atëherë, ai duhet të gjykohet në vendin ku gjendet.

“Tjetër është çështja që mundet vetë shteti i Francës që ta marrë përsipër ta gjykojë atë, se është parim në drejtësinë ndërkombëtare që nëse ka të dhëna, prova, personi i cili kërkohet për ekstradim ose duhet të ekstradohet ose duhet të gjykohet në vendin ku gjendet”, ka thënë Salihu.

Sipas tij, ky është një parim që daton që nga shekulli i 17 ‘të që është paraparë në Konventën Europiane për ekstradim.

“Haradinaj nuk mund të gjykohet për të njëjtat vepra që është gjykuar në Hagë. Nëse ka prova të njëjta atëherë është çështje tjetër”, ka thënë tutje ai.

Ndërkohë që Serbia kërkon ekstradimin e Ramush Haradinaj për veprat e reja që nuk ishin në aktakuzën e Prokurorisë në Hagë dhe për këtë ka prova. Bashkë me kërkesën e ekstradimit janë dërguar edhe dokumente shtesë të përkthyera në gjuhën frënge në bazë të së cilave sistemi francez i drejtësisë mund të vendosë për përmbushjen e kushteve për ekstradimin e Ramush Haradinajt në Serbi, shkruan Tanjug.

Sipas Salihajt, nëse Serbia prezanton dokumentacionin e njëjtë kundër Haradinajt që është përdorur në Hagë, atëherë Haradinaj do të lirohet. Ndërkohë Salihaj ka thënë se nuk mund të komentojë pohimet e Beogradit se kundër Haradinajt do të prezantohen prova të reja.

Ramush Haradinaj u arrestua me urdhër të arrestimit të dërguar në INTERPOL nga Serbia në vitin 2004, e kjo për shkak të dyshimit se gjatë viteve 1998-1999 kishte kryer krime ndaj serbëve.

Gjykata në qytetin Colmar të Francës, ka vendosur të enjten që Haradinaj të mbahet në paraburgim derisa Serbia ta bëjë kërkesën zyrtare të ekstradimit. Haradinaj u arrestua në aeroportin e Bazelit, në zonën franceze të Mulhouse nga autoritetet franceze. /Gazeta Express/

Exit mobile version