Profesori i Hartografisë, Florim Isufi, në emisionin “Info – Box” të RTV Dukagjini, ka theksuar se Kosova po humb pjesë nga territori i saj, në procesin e demarkacionit të kufirit me Malin e zi.
Ai ka thënë se shumë politikanë e kanë telefonuar atë për ta pyetur rreth procesit të demarkacionit të kufirit më Malin e Zi, ndërsa njoftoi se kanë zhvilluar disa takime me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Kujtim Shala, për ta diskutuar këtë çështje.
“Kemi materiale të cilat nuk janë shqyrtuar gjatë këtij procesi, dhe ato janë materiale bazë hartografike, të zhvilluara në kohën e ish–Jugosllavisë. Në atë periudhë ka qenë një institut gjeografik ushtarak – i cili ka përpunuar harta – ka qenë strumbullari i hartave. Komisioni nuk e di a ka pasur një dokument të tillë, sepse një dokument i tillë ekziston”, ka theksuar Isufi.
Ai sqaron se sipas asaj që parasheh demarkacioni i kufirit, Kosova hyn në brendi të Malit të Zi më 731 hektarë, derisa Mali i Zi sipas tij, hyn në brendi të territorit të Kosovës me 8900 hektarë, duke shtuar se sipas këtyre llogaritjeve Kosova i humb rreth 8200 hektarë, respektivisht territori i Kosovës tkurret për 82 km2.
“Janë dy pjesë të asaj pjese që preken. Ajo që mua po më shqetëson më shumë janë burimet e ujit të Lumëbardhit të Pejës. Të gjitha burimet po mbesin jashtë territorit, dhe se kjo do të shkaktojë probleme goxha të mëdha në atë që njihet si valorizim ekonomik i burimeve”, ka shtuar Isufi./Telegrafi/