Presidenti serb Aleksandar Vuçiq vazhdon të pretendojë se nuk do të ketë njohje as “de facto” as “de jure” të pavarësisë së Kosovës, ndërsa presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen beson se njohja ‘de facto” e pavarësisë së Kosovës në fakt nënkupton zbatimin e marrëveshjes së rënë dakord në Ohër.
“Për çfarë bëhet fjalë – për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila parasheh hapa të ndryshëm që përfshijnë njohjen e dokumenteve dhe institucioneve të Kosovës nga Serbia dhe që shkon bashkë me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që duhet të zbatohet nga Kosova”, tha Von der Leyen më 31 tetor, në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari për të sqaruar se çfarë do të thotë njohja faktike e pavarësisë së Kosovës, të cilën ajo e kishte përmendur një ditë më parë në Prishtinë.
Përkundër kësaj, presidenti i Serbisë thekson se “nuk do të jetë ai që do të nënshkruajë pavarësinë e Kosovës”.
“Më vjen turp të shkoj nëpër Serbi dhe të arsyetohem para kujtdo. Nuk ka dorëzim, nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës ‘de facto’ apo ‘de jure’, por duam paqe me shqiptarët, duam marrëdhënie të mira”, ka thënë ai, duke përsëritur se Serbia nuk do të heshtë as për çështjen e hyrjes së Kosovës në Kombet e Bashkuara, as nuk do ta njohë Kosovën.
Fraza “njohja de facto e Kosovës”, e cila përmendet shpesh në opinionin serb, sipas portalit “Demostat”, nuk paraqet ndonjë gjë të re dhe as shenjë se Serbia do të braktisë qëndrimin se Kosova është pjesë integrale e saj.
Bashkëbiseduesit e atij portali nga qarqet diplomatike vlerësojnë se “njohja de facto” është një monedhë të cilën Perëndimi e ka dedikuar në radhë të parë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të cilin do të jetë më e lehtë të sqarohet në vendin e vet se është e nevojshme që më në fund të formojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Sipas burimeve të këtij portali, Marrëveshja e Brukselit, e nënshkruar në prill 2013, përfaqësonte njohjen e “realitetit të ri” në Kosovë, pasi Serbia, ndër të tjera, ishte pajtuar që komunat me shumicë serbe në veri të integrohen në sistemin e drejtësisë së Kosovës.
Mrdalj: “De facto” dhe “njohje” terma kontradiktorë
Duke folur për konceptin e “njohjes de facto”, pedagogu në Universitetin Webster, Mladen Mrdalj thekson për “N1” se marrëdhënia midis dy termave “de facto” dhe “njohje” është kontradiktore në masë të madhe.
“Çështja e njohjes është që të mos lihet vend për paqartësi, ndërsa qëllimi i të bërit ‘de facto’ është t’i lëmë hapësirë dykuptimësisë. Ky është arti i diplomacisë: përdorimi i fjalëve dhe veprimeve për të ndryshuar perceptimet e realitetit në mënyrë që të zgjerohet hapësira për manovrim midis rreziqeve të jashtme dhe të brendshme”, vlerëson Mrdalj, transmeton Telegrafi.
Si një nga shembujt, ai përmend rezolutën për Srebrenicën të miratuar nga Kuvendi i Serbisë, në të cilën thuhet se Serbia e njeh krimin në Srebrenicë “në mënyrën e përcaktuar nga gjykata e Hagës”.
“Nëse është dashur të pranohet gjenocidi, pse nuk u përdor fjala gjenocid? Sepse tani mund të thuhet se ajo rezolutë ‘de facto’ do të thotë njohje, por paqartësia e shprehjes ‘në mënyrën e përcaktuar me aktgjykim’ zgjeron hapësirën për manovrim. Mund të nënkuptojë edhe ‘gjenocid’, pra kualifikimin ligjor, por edhe mënyrën se si është kryer krimi, pra akti faktik i pushkatimit të robërve të luftës”, shpjegon ky politolog.
Më tej Mrdalj thekson se në këtë kuptim lind pyetja se çfarë do të thotë “njohje de facto”.
“Le të imagjinojmë se çfarë mund të bëjë Serbia, le të themi: nënshkrimi i disa kontratave me autoritetet e Kosovës dhe konfirmimi i tyre në Parlament (që quhet ratifikim dhe përcjell të gjitha kontratat ndërkombëtare), hapja e ambasadës së Serbisë, nxjerrja e një rezolute parlamentare dhe/ose votimi për anëtarësimin e Kosovës në OKB. ‘De facto’, çdo akt mund të jetë njohje e shtetësisë së Kosovës, por vetëm një, i fundit, nuk mund të tërhiqet. Prandaj është i rëndësisë më të madhe, prandaj mendoj se është i vetmi akt ‘de facto’ që krijon bazë ligjore për pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës”, thotë Mrdalj.
Bashkëbiseduesi “N1” thekson se gjithçka që ka deklaruar është “me kusht që Kombet e Bashkuara ta pranojnë Kosovën anëtare”, gjë që, sipas tij, nuk është e sigurt as me mbështetjen e Serbisë sepse Rusia dhe Kina mund të bllokojnë pranimin e Kosovës në OKB.
“Dëshiroj gjithashtu të nënvizoj se këndvështrimin tim e kam bazuar kryesisht në një analizë politike, jo ligjore, të dallimit midis njohjes ‘de facto’ dhe njohjes ‘de jure’. Ndërsa avokatët diskutojnë dallimet formale dhe pasojat ligjore midis njohjes ‘de facto’, ‘de jure’ dhe njohjes indirekte, ajo që është thelbësore për analizën politike është se çfarë lloj kombinimi forcash e shtyn politikën e jashtme për të shmangur njohjen ‘de jure’ përmes paqartësive dhe cilat janë pasojat e vendimeve të tilla”, përfundon Mrdalj, transmeton Telegrafi.
Marko Milanoviq, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Reading, thekson se njohja “de facto” nuk ka një kuptim të përcaktuar qartë në të drejtën ndërkombëtare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Ai thotë se ndonjëherë kjo mund të nënkuptojë vetëm vendosjen e një lloj marrëdhënie diplomatike apo kuazi-diplomatike, pra hapjen e misioneve që nuk do të jenë në nivel ambasadash.
Ai thekson se Marrëveshja e Ohrit obligon që Kosova dhe Serbia të vendosin misione të përhershme në territorin e secilit shtet, por shton se kjo nuk nënkupton njohje të heshtur – dhe kjo është një mision i përhershëm diplomatik në nivel ambasade.
Bogdanoviq: Politika e gabuar e Beogradit ndaj Kosovës
Ish-ministri në Qeverinë e Serbisë për Kosovë dhe nënkryetar i Partisë Socialdemokrate, Goran Bogdanoviq, përmend riregjistrimin e automjeteve me targa RKS si shembull tjetër të “politikës së gabuar të Beogradit ndaj Kosovës”.
Sipas tij, serbët janë të detyruar t’i regjistrojnë veturat e tyre me targa RKS.
“Nuk duhet të gjykohen personat që kanë marrë targat RKS, sepse është e qartë se qeveria aktuale në Beograd ka hequr dorë nga Kosova”, ka theksuar Bogdanoviq.
Ai vlerësoi se targat nuk janë atribut i rëndësishëm i shtetësisë.
“Vuçiq dhe Lista Srpska ia dorëzuan Prishtinës të gjithë sistemin e drejtësisë dhe sigurisë, pranuan që ligjet e Kosovës të zbatohen edhe në veri të Kosovës, dorëzuan të gjithë sektorin energjetik dhe të gjitha ndërmarrjet shoqërore dhe shtetërore. Është hipokrite dhe e dëmshme për serbët që targat të jenë problem, ndërsa më parë ia keni dorëzuar Prishtinës gjithë pronën serbe dhe të gjitha atributet e shtetësisë. Tabelat nuk janë pengesë për serbët në Kosovë”, tha Bogdanoviq. /Telegrafi/