Anëtari i Komisionit për shënjimin e kufirit Kosovë-Mali i Zi, profesor Zejnullah Gruda, ka thënë se puna e ish-Komisionit shikuar nga ana e së drejtës ndërkombëtare është karakterizuar nga mosnjohja e thellë e së drejtës ndërkombëtare.
Profesor Gruda ka shtuar se është e paqartë dhe e pakuptueshme se si pala kosovare ka pranuar të hyjë në bisedime ku i është bërë e qartë se pala malazeze kishte ardhur të kryej punë për përcaktimin e kufirit shtetëror dhe të përgatisë lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare për kufirin shtetëror e jo Demarkacionin, transmeton Telegrafi.
“Pala kosovare duke hyrë në bisedime ka pranuar në mënyrë implicite se gjoja midis Kosovës dhe Malit të Zi nuk ka ekzistuar kufiri ose vija administrative që ndante territorin e Kosovës me të Malit të Zi që nga viti 1945-46”, ka thënë Gruda.
“Ka ndodhë që dy delegacionet të shkojnë në bisedime me agjenda të ndryshme. Mali i Zi ka shkuar për të vënë kufi, është delimitacion–jo demarkacion. Komisioni ynë nuk ka pasur platformë të bisedimeve”, tha ai.
Gruda ka theksuar se me Malin e Zi është lidhur marrëveshje për kufirin e jo për Demarkacionin e Kufirit. /Telegrafi/