Nga: Luan Malltezi
Në vitin e parë në universitet (1964) mbaj mend se diskutonim shumë si studentë për pedagogët tanë, për aftësitë dhe zotësitë e tyre. Ne që kishim filluar studimet për histori flisnim për Budën, Pollon kurse shokët tanë që studionin për Gjuhësi-Letërsi flisnin për Çabejn, Domin; shumë prej tyre flisnin edhe për profesor Shaban Demirajn, profesori u jepte atyre lëndën e morfologjisë.
Profesori ishte atëherë shef i katedrës së gjuhës shqipe dhe zëvendësdekan i Fakultetit Histori-Filologji. Si shef, ai vazhdoi edhe disa dhjetëvjeçarë të tjerë deri në periudhën e daljes në pension. Studentët thoshin se profesori kishte shumë artikuj të botuar në revistën “Studime Filologjike”, për të thoshin madje se dinte latinisht, greqisht, anglisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht, persisht. Këto që dëgjoja për të më bënin shumë përshtypje. “Si është e mundur të dijë kaq gjuhë vallë – pyesja veten i çuditur”.
Profesori ishte nga Vlora, aty kishte kryer shkollën fillore, shkollën e mesme e kishte kryer në Tiranë, Medresenë. Pastaj kishte filluar punë si mësues në shkollën e mesme në Gjirokastër dhe Tiranë. Si mësues kishte vazhduar pa shkëputje nga puna Institutin Pedagogjik dyvjeçar për Gjuhësi-Letërsi, që drejtohej nga prof. Shuteriqi dhe Institutin e Lartë Pedagogjik më pas. Pa përfunduar studimet ishte emëruar pedagog në institut. Në vitin mësimor 1955-1956, ai jepte leksikologji, fonetikë dhe morfologji, për këto lëndë ai kishte hartuar edhe tekstet përkatëse.
Kur isha student, profesorin e shihja shpesh në mëngjes kur vinte në fakultet. Ai dukej i fortë fizikisht, ecte shpejt dhe mbante në dorë një çantë të madhe lëkure. Nga pamja linte përshtypjen se ishte i rreptë…
Profesorin kam pasur rast ta shihja shpesh kur fillova punë në Institutin Gjuhësi-Histori, në sektorin e historisë së mesjetës. Atëherë mbaj mend se profesori erdhi një herë në sektor për të pyetur për një libër latinisht të botuar nga tre historianë të shquar, K. Jirecek-Thalloczy-M. Shufflay. Libri kishte dokumente për historinë e Shqipërisë të kohës së mesjetës. Librin profesori nuk e kishte gjetur në bibliotekën e institutit. Ne po studionim kur ai hyri në sektor, sapo e pamë u ngritën në këmbë, në këmbë u ngrit edhe historiani i vjetër Stavri Naci. Profesori pyeti se mos ndonjë nga ne kishte tërhequr nga Biblioteka e Institutit librin në fjalë. Librin nuk e kishte tërhequr asnjë nga ne dhe këtë ia thanë menjëherë. “Po si i bëhet tani – tha ai duke parë nga prof. Naci, – sepse unë nuk mund të shkoj më tej në studimin që kam në duar pa konsultuar diçka nga ky libër”. “Ky libër, profesor – thashë unë – është edhe në Bibliotekën Kombëtare dhe mund ta gjeni atje”. “Po, po – u tha ai – libri është edhe në Bibliotekën Kombëtare, por unë nuk desha të harxhoj kohë të shkoj atje, sepse bibliotekën e institutit këtu e kam shumë afër shtëpisë ku po punoj”. “E dëgjuar apo jo – tha prof. Naci kur ai iku, – nuk kam kohë të shkoj në Bibliotekën Kombëtare se e kam larg; profesor Demiraj është vërtet një punëtor i madh, – vijojë ai – i lumtë se me punë ka çarë përpara dhe është bërë edhe një nga gjuhëtarët më të mirë të vendit sot”.
Pas këtij rasti nuk më shkonte ndërmend se mund të kisha ndonjëherë punë me prof. Demiraj. Mirëpo nuk ndodhi kështu. Më 1972 në Shqipëri, u krijua Akademia e Shkencave; kryetar u caktua prof. Aleks Buda. Nën drejtimin e tij, Akademia organizoi shumë konferenca me karakter kombëtar si konferencën kombëtare me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, konferencën e Dytë Albanologjike me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, konferencën kombëtare kushtuar “Historisë së popullit shqiptar, gjuhës dhe kulturës së tij”. Në këto konferenca merrnin pjesë albanologë dhe historianë të shquar nga Ballkani dhe Europa. Në këto konferenca vinin udhëheqësit më të lartë të partisë dhe të shtetit, Enver Hoxha, Mehmet Shehu. Në vitin 1989, Akademia e Shkencave dërgoi në Sofje një grup studiuesish shqiptarë të përbërë nga arkeologë, etnografë, gjuhëtarë dhe historianë për të marrë pjesë në një kongres të organizuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Studimeve të Europës Juglindore (A.I.E.S.E.E.). Në këtë aktivitet mora pjesë edhe unë me një kumtesë nga shekujt XIV-XV të historisë së vendit tonë. Në konferencë merrte pjesë sekretari i përgjithshëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, prof. Luan Omari, si dhe prof. S. Anamali, prof. Sh. Demiraj. Nga sektori im merrte pjesë prof. S. Pulaha, i cili ishte edhe nëndrejtor i Institutit të Historisë. Prof. Pulahën e kisha shok, me të kthehesha çdo ditë pas pune në shtëpi sepse e kishim rrugën bashkë.
Grupi ynë u nis nga Tirana me një autobus të ri turistik. Pas një udhëtimi që vazhdoi më shumë se 14 orë, mbërritëm në Sofje. Të lodhur e të mpirë nga udhëtimi i gjatë, zbritën nga autobusi dhe me valixhet në duar hymë në hollin e një hoteli të madh. Aty mësuam se hoteli nuk kishte dhoma teke; pas pak minutash në holl u vendos një qetësi e plotë, dëgjohej vetëm një zë që thërriste emrin e secilit duke treguar edhe numrin e dhomës. Mendova se do të isha në një dhomë me prof. Pulahën. U thirrën shumë emra, por emri im nuk u përmend. Sakaq, dëgjova emrin e prof. Pulahës; ndryshe nga sa kisha menduar unë, ai zuri dhomën me një shok të tij gjuhëtar. Pas kësaj fillova të shqetësohem, “me kë më kanë caktuar vallë?” pyesja veten. Aty nga fundi dëgjova emrin tim dhe të prof. Demiraj, ishim caktuar të dy në një dhomë. Sapo dëgjova emrin e tij, u shqetësova shumë, u përpoqa të takoj ndonjë “nga të parët tanë” për të zgjidhur këtë problem, por nuk munda të bëja gjë; të gjithë po largoheshin me valixhet në dhomat e tyre. Sakaq, bisedova me një shokun tim të vjetër si gjuhëtar. “More – i thashë i shqetësuar – po ç’punë kam me prof. Demiraj që të jem në një dhomë me të? Unë nuk kam asnjë njohje me të, ju jeni gjuhëtarë dhe ju takon juve të jeni në një dhomë me të”. Pa mbaruar mirë, miku im më tha: “Vërtet nuk e kupton pse je me të? Asnjë nuk ka pranuar të jetë në një dhomë me të sepse është profesor”. Pas kësaj bisede, mora i nevrikosur çelësin në holl dhe u drejtova nga dhoma, hapa derën dhe po prisja në këmbë në mes të saj me valixhen përpara. Nuk kaloi as një minutë kur pashë profesorin që po vinte me valixhen në dorë. Ashtu i tronditur, i dola para dhe thashë: “Profesor, më vjen shumë keq që më kanë caktuar në një dhomë me ju. Këtu ka shumë gjuhëtarë që mund t’ju shoqërojnë. Unë u përpoqa ta zgjidh këtë problem, por nuk arrita gjë…”.
Ndërkohë që po thosha këto fjalë, profesori hyri në dhomë fare i qetë dhe më tha: “Mos kini asnjë shqetësim, do të kalojmë bashkë pa asnjë problem. Unë nuk kam asnjë shqetësim për të qenë me ju, ju siguroj se do të kalojmë shumë mirë”.
Nga mënyra si foli, mu duk se ishte vërtet i kënaqur. Mbaj mend se pasi rregulluam rrobat, dolëm një shëtitje të shkurtër jashtë hotelit për të marrë veten nga udhëtimi i gjatë. Ishte një natë e kthjellët dhe Sofja dukej një qytet i bukur.
Në Sofje mbaj mend se kam shëtitur dy-tri net me radhë me profesorin në mbrëmje, profesori ishte shumë i thjeshtë. Bisedën me profesorin e nisa me romanin “Martin Iden” të Xhek London-it, të përkthyer prej tij më 1976-ën. Me këtë bisedë hapa edhe problemin e gjuhëve që ai njihte. Mbaj mend se më tha se dinte gjermanisht dhe se kishte 30 vjet që e studionte çdo ditë këtë gjuhë. Arsyeja pse studionte këtë gjuhë lidhej me faktin se albanologët më të rëndësishëm ishin gjermanë. Profesori më tregoi se anglishten e kishte studiuar në Medrese, bashkë me gjuhën arabe, latinishten dhe greqishten e vjetër i kishte mësuar në Romë në një shkollë italisht, që kishte ndjekur para çlirimit. Nga biseda, kuptova se profesori bënte një punë të jashtëzakonshme me gjuhët, për këto gjuhë ai kishte punuar gjithë jetën. “Pa njohur këto gjuhë – tha ai – unë nuk mund të bëhesha dot specialist në studimin e gjuhës sonë”. Profesori më tregoi se kishte punuar si përkthyes nga anglishtja dhe frëngjishtja në Agjencinë Telegrafike Shqiptare në vitin 1945. Nga bisedat kuptova se profesori nuk e kishte pasur të lehtë jetën e tij, ai kishte punuar pa pushim për të shkuar para. “Gjithë jetën kam studiuar – tha ai, – unë e kam konsideruar veten time në çdo moshë nxënës”. Nuk mbaj mend çfarë kam biseduar tjetër me profesorin në Sofje, por mund t’ju them se me të kam folur krejt i lirë.
Në Sofje bullgarët na dhanë “dollarë” si “para xhepi”, një koleg më këshillojë t’i thyeja në leva në “tregun e zi” se ishte më me leverdi për ne, por këtë veprim unë nuk mund ta bëja dot. Me profesorin shkuam në dyqanet ku shkonin kolegët tanë për të parë se ç’mund të blinim. Thuajse të gjithë kishin blerë plitka me dy vatra zjarri, që mungonin në Shqipëri. Shkuam edhe ne të merrnim nga një, por të hollat nuk mjaftonin. Nuk më kujtohet çfarë bleu profesori, por unë vetë bleva një çantë të bukur shkolle për vajzën. Pas tri-katër ditësh u kthyem në Tiranë. Rruga ishte përsëri e gjatë, autobusi ndaloi në oborrin e Akademisë aty nga ora 23:00. U ngritëm të lodhur dhe filluam të kërkojmë çantat që kishim vendosur në autobus. Në rrëmujën e krijuar në autobus pashë prof. Pulaha që po përpiqej të dilte nga autobusi, duke mbajtur me kujdes një qese të madhe ku kishte futur disa llamba abazhurësh; për shaka, prof. Anamali që ishte pas, i ra qeses me këmbë duke e pyetur “ç’i ke këto mor Selami”, por nga goditja e tij llambat delikate u thyen të gjitha njëherësh. Prof. Pulaha i nervozuar nga kjo “shaka pa kuptim” të kolegut të tij harroi të merrte atë natë nga autobusi një qese tjetër, ku kishte futur pjesët metalike të abazhurëve. Ne, pasi morëm valixhet nga autobusi, i uruam natën e mirë njëri-tjetrit dhe morëm rrugën për në shtëpi. Rrugës mu kujtua profesori, “more, – pyeta veten – e mësoi apo jo profesori emrin tim”?
Pas Sofjes nuk e kam takuar gjatë më profesorin, ndonëse kam pasur shumë herë rast ta takoja në Bibliotekën Kombëtare dhe bibliotekën e Institutin të Historisë.
Megjithatë, duhet të them se e kam ndjekur në disa shkrime dhe botime të tij, sidomos shkrimet për prof. Çabejn. Profesori botoi më 1989 një artikull në gazetë për të, nga shkrimi kuptova nderimin e tij të jashtëzakonshëm për të si studiues dhe albanolog i shquar. Në nderim të tij, profesori botoi më 1990 edhe studimin monografik ”Eqrem Çabej”.
Profesori ishte i majtë, them kështu sepse një vëlla i tij kishte rënë në luftë. Megjithatë, profesori nuk e pëlqente politikën. Një miku im, Tarik Llagami, mësues letërsie, më tregoi se aty nga viti 1987 ministrja e Arsimit, Tefta Cami, thirri në ministri profesor Shaban Demirajn dhe shumë mësues të gjuhës shqipe. Ministrja ishte e interesuar për programet e gjuhës shqipe. Për këto programe u caktua profesor Demiraj t’i bënte; profesori zgjodhi nga ana e tij zotin Llagami si bashkëpunëtor. “Kemi punuar shumë herë për këto programe te shtëpia e prof. Shabanit”, më tregonte një ditë prof. Llagami. “Një ditë duke pritur profesorin për të filluar punë – vijoi ai – mora një libër të botuar prej tij nga biblioteka e dhomës ku punonim dhe po e shfletoja, kur erdhi profesori, i thashë – profesor, shoh se nuk keni bërë citime nga fjalimet e Enver Hoxhës. – Jo – më tha – nuk do të gjesh në të gjitha botimet e mia citime nga Enver Hoxha”!
Më 1993 prof. Demiraj u caktua nga qeveria “Meksi” kryetar i Akademisë së Shkencave. Emërimi i tij u prit mirë nga opinioni publik dhe shkencor i vendit, prof. Demiraj ishte një studiues dhe albanolog i shquar brenda dhe jashtë vendit. Ai kishte mbajtur në shumë universitete dhe institute të huaja ligjërata të ndryshme shkencore për gjuhën shqipe. Në vitin 1986 ai botoi edhe veprën “Gramatikë historike e shqipes”. Tiranë, 1986.
Prof. Demiraj qëndroi në krye të Akademisë deri ne vitin 1997.
Dhëndri i prof. Aleks Budës, prof. Haxhimihali më ka treguar një detaj për të, kur ai bëri një vizitë si kryetar i Akademisë së Shkencave në familjen e prof. Aleks Budës. Profesor Demiraj shoqërohej nga prof. Luan Omari dhe personalitete të tjerë akademike. Prof. Haxhimihali e uroi profesorin për emërimin në detyrë. “Kur e urova, – tha ai – profesor Demiraj mu afrua afër dhe më tha me zë të ulët: Po pas kujt po shkoj në këtë detyrë se!”.
Këto fjalë kuptohet se drejtoheshin për prof. Budën, njeriun që kishte bërë aq shumë për shkollën, arsimin, shkencën dhe kulturën shqiptare.
Prof. Demiraj u emërua kryetar i Akademisë së Shkencave, në një periudhë të vështirë që kalonte vendi pas shembjes së diktaturës dhe vendosjes së pluralizmit politik. Reformat e ndërmarra nga qeveria demokratike për kalimin e vendit në ekonominë e tregut ishin të vështira, ndërmarrjet e vjetra ekonomike të vendit nuk funksionin më në pjesën më të madhe, jeta politike e vendit ishte e tensionuar nga marrëdhënenit e ashpra midis pozitës dhe opozitës.
Si studiues, profesori duket se kuptoi se ishte me rëndësi për të të prekte si kryetar i Akademisë së Shkencave çështje të ndjeshme për popullin në studimet e tij. Ai iu kthye çështjes për ndriçimin e rrënjëve historike të etnosit shqiptar, të lashtësisë së tij në trojet e veta. Të tilla janë botimet e tij “Prejardhja e shqiptarëve në dritën e dëshmive të gjuhës shqipe” (Tiranë, 1999); “Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët”. Studimet e tij ishin fryt i ngulmimit në punë dhe i dashurisë për vendin dhe popullin e vet. Këto studime vlerësohen nga kolegë të tij si arritjet më të rëndësishme shkencore të tij. Prof. Demiraj mban titujt e lartë “Mësues i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”. Më vitin 2000 Këshilli Bashkiak i Vlorës e zgjodhi atë njëzëri “Qytetar Nderi”. “Nder të madh po më bëni”, – shkruan i prekur profesori në përgjigjen e tij, dërguar Këshillit Bashkiak më 30 tetor, 2000. Profesor Demiraj e ndjente thellë në vetëdijen e tij se ishte vlonjat. “Sa herë që më jepet rasti të vij në Vlorë – shkruan ai – ndjej një gëzim të papërshkrueshëm duke sjellë ndër mend moshën më të bukur të jetës, fëmijërinë, shokët dhe shoqet e lagjes, dhe mësuesit e mi të parë… Unë e kam quajtur një fat të mirë që kam lindur në këtë qytet të lashtë e të bukur dhe gjithmonë e kam konsideruar një nder që jam vlonjat”. Në letrën e tij, profesori e ka ndjerë si detyrë të tij të këshillojë autoritet edhe intelektualët vlonjatë të punojnë shumë për vendin e tyre.
“Ne intelektualët e Vlorës duhet të ndihmojmë për të ndërgjegjësuar më shumë opinionin publik dhe zyrtar për zgjidhjen sa më shpejt të disa problemeve shoqërore shqetësuese, siç janë papunësia dhe largimi i të rinjve në vende të tjera. Me punën dhe këshillimet tona duhet të ndihmojmë për të ngjallur më shumë frymën e tolerancës e të mirëkuptimit midis njerëzve që kanë mendime e qëndrime të ndryshme… Të gjithë jemi bij të këtij trualli dhe si të tillë, e kemi për detyrë të bashkëpunojnë në bazë të normave demokratike për zhvillimin dhe mirëqenien e të gjithëve”.
Këto janë fjalët e dijetarit dhe patriotit, akademikut dhe profesorit të paharruar, Shaban Demiraj. Me punën e tij, ai radhitet në plejadën e dijetarëve tanë të shquar në fushën e gjuhës dhe kulturës shqiptare si Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipo, Eqrem Çabej, Mahir Domi, Selman Riza, Dhimitër Shuteriqi, Idriz Ajeti.