Site icon Telegrafi

Profesionistët e Teknologjisë Informative të Komunave mbesin jashtë ligjit të ri të pagave – ata nuk kategorizohen si ekspertë

Profesionistët e Teknologjisë Informative të Komunave të Kosovës nuk janë përfshirë në ligjin e ri të pagave, e kjo ka ndodhur pasi ata nuk u kategorizuan si ekspertë.

Ukë Krasniqi, zyrtar për IT në Komunën e Drenasit dhe njëherit Kryesues i Kolegjumit të Zyrtarëve  të Teknologjisë Informative të Komunave të Kosovës, në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se ata janë diskriminuar duke mos u përfshirë në ligjin e pagave.

Ai ka pohuar se plotësojnë të gjitha kriteret dhe se prapë se prapë ka ndodhur përjashtimi dhe diskriminimi.

“Realiteti tregon se ne profesionistët e TI-ve të Komunave edhe pse i plotësojmë të gjitha kriteret e kërkuara, prapë se prapë jemi të përjashtuar, të diskriminuar dhe të fyer nga ky komision i cili sipas veprimeve të tij ka qenë krejtësisht i ndikuar duke lënë anash dhe jashtë listës së merituar të gjithë profesionistët e Teknologjisë Informative të Komunave të Kosovës”, ka potencuar ai.

Sipas Ukë Krasniqit, se diskriminimi dhe përjashtimi ka ndodhur tek zyrtarët e TI-së të komunave të Kosovës është lehtë është e vërtetueshme edhe në raportin e punës së Komisionit për vlerësimin e sistemeve shtetërore të informacionit dhe komunikimit me rëndësi strategjike.

“Ku në këtë raport janë të klasifikuara institucionet me sisteme me rëndësi shtetërore sipas shtojcës 14.4 të Ligjit nr.08/L-196 për pagat në sektorin publik. Zyrtarët e TI-së së këtyre institucioneve janë klasifikuar si ekspert e të cilët përdorin sisteme të njëjta sikurse zyrtarët e TI, ndërsa ne edhe pse administrojmë dhe menaxhojmë me këto sisteme jemi diskualifikuar”, ka theksuar Krasniqi.

Ai gjithashtu ka pohuar se IT e komunave administrojnë dhe menaxhojnë me sisteme me rëndësi shtetërore, një gjë e tillë jo vetëm që është fakt i njohur, por këtë e konfirmon edhe ASHI (Agjencia e Shoqërisë së Informacionit) si Organ Qendror i Administratës Shtetërore për Zhvillimin dhe Zbatimin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në institucionet e Kosovës”.

Krasniqi pashtu pohoi se ai do të vazhdon të kërkojë të drejta për kolegët e tij, e që janë të garantuara me ligj.

“Pas krejt këtij diskriminimi dhe përjashtimi që na bëhet qëllimshëm unë nuk do të pushoj se vepruar në emër të kolegeve të garantuar me ligji e te mohuar nga ky komision jo profesional i paditur apo i ndikuar. Do të shfrytëzojmë çdo të drejtë ligjore për të protestuar në të gjitha format e mundshme – e di se vendimmarrësit nuk ndjenë dhembshuri për pushtetin lokal po neve nuk na mbetet rrugë tjetër”, tha mes tjerash ai./Telegrafi/

Exit mobile version