Site icon Telegrafi

Profesioni: patriot

22 Nov 2014, Kosovo --- Nov. 22, 2014 - Prishtina, Kosovo - Kosovo's independent political analyst Fadil Lepaja, sitting next to his home library in Pristina, Kosovo's capital city. Lepaja, is one of most active public figures in political and social opinions and analyst in the country's level, his main field of interest depict the national traditional policy making analysis, as well as international relations. (Credit Image: © Vedat Xhymshiti/ZUMA Wire) --- Image by © Vedat Xhymshiti/ZUMA Press/Corbis

Ka patriot, ashtu kot, të tipit individual, por ka edhe asi lokal. Ka patriot të rangut nacional, ka edhe më lartë, pra ka edhe super-patriot. Ka mega-patriot, ka madje edhe hiper-patriot. Sikur marketet të cilat u hapën pas lufte, sipas hierarkisë. Këta hiper-patriotët janë ata që punësojnë një ushtri patriotësh, të gjitha niveleve, me strukturë të qartë hierarkike. Pra, patriotizmi ka edhe grada. Hiper-patriotë janë veç ata që bëjnë gjëra të mëdha për shefin.

Por, ka edhe patriot me parapagim. I thua dikujt: dërgoma një mbushje të pesëve. Kjo i bie të jesh patriot me parapagim. Këta aktivizohen me vetura, me boria kur ka evente të rëndësishme për strukturën. Këta aktivizohen edhe në rrjete sociale. Mjafton të kenë një celular të mençur, edhe pse vet nuk është aspak kusht të jenë të tillë. E sheh së të ka ardhur një mbushje e pesëve, dhe e kupton se detyra të thërret.

Pra, patriot ka lloj-lloj. Disa me dizajn modern, e disa me dizajn antik. Qy antik, edhe ma herët, para-antik. Që nga koha e gurit e këndej, se edhe atëherë këta gurë… a nuk i njihni këta gurë? Janë të njëjtit që i këndojmë në kohën e sotme. Gurë e shkrepa. Madje edhe në kohën e majmunëve, dhe në shtetin e majmunëve parahistorik. Pra, mund të tërhiqet qartë një vijë vazhduese.

Përndryshe, për dallim prej shumicës që bëhen apo punësohen si të tillë, për nevoja patriotike, disa lindin patriotë. Lindin pa fajin e tyre në familje patriotike, e disa bëhen më vonë. Ka edhe regjione patriotike, dhe jo patriotike. Pra, regjione tradhtare, me një fjalë. U linde aty, ky paska qenë fati yt. Mund të bëhesh milioner, mund të bëhesh rrogëtar i përjetshëm, ose rebel. Nuk ka alternativë, aq më tepër që edhe alternativat i dizajnon struktura.

Por, patriotizmi sot, është sidomos profesion. Nëse të njeh shefi për patriot, nuk ka krizë.

Nuk është shaka kjo puna e profesionit. Në kapitalizëm, dhe sidomos në atë liberal, pra në atë fazën kur të fortët grabisin e të dobëtit rreshtohen, dhe shndërrohen në ushtarë me pagë, profesioni është çështje jetike. Jo kot, edhe në përrallat e moçme, nëse nuk kishe profesion, nuk gjeje as nuse. Për shembull ishte përralla për djalin e mbretit i cili u desh të mësonte të thurë shporta me thupra, për të u martuar, përndryshe nuk e merrte dot femrën e preferuar. Mbretërit mund të bien nga pushteti, por nëse di të thurësh statuse, ose komente sharëse në Facebook, nuk mbetesh pa bukë. Është profesion pra.

E keni provuar të kritikoni shefin? Atëherë e kuptoni se profesioni i shkrimit të statuseve dhe komenteve nuk është punë kreative. Është më tepër prodhim serik i sharjeve, për kundërshtarët e shefit. Ta qesin veten prej hujit, sa të vjen të vjellësh me pasqyrën që të vejnë përpara. Je apo nuk je ti, pyetesh! Je apo nuk je patriot? Sepse në (a)radhën e patriotizmit, duhet rreshtuar me shefin, i cili edhe pse mund t’ju duket autoritar, është zemërgjerë. Ai, i përcjell të gjitha dhe nëse kontribuoni me komente apo pëlqime, karrierën e keni të garantuar. Ai e kontrollon edhe numrin e pëlqimeve. I ka ata me mbushje “pesëshe” të cilët kanë nga 100 profile në rrjete sociale. Mjaftojnë dhjetë prej tyre, dhe e bënë 1K!

Patriotizmi është profesion i ri. Thuhet se nuk ka më shumë se 200 vjet që është zbuluar, përpos në raste ekstreme, kur ashiqare ka familje dhe individë që kanë rrënjët e tyre patriotike krejtësisht të lashta. Ky zanat, pra, vjen kur lind një lëvizje për shtet, por edhe pasi që shteti të ketë lindur, e besa edhe deri në atë fazën kur fillon me ecë, me belbëzua, deri në një adoleshencë të vonuar. Pra, ky është zanat që lidhet me shtetin. Kur shteti nuk është i madh sa ambiciet e tyre, patriotizmi lidhet me atdheun. Mëmëdhe quhet vendi, ku kemi blerë toka. Ky profesion, nëse di me shfrytëzue të bënë shpi. Qy, shpi, ti bënë 100 shtëpi! A nuk i bënë edhe aq?

Por, mos i ngatërroni gjërat. Kur them profesioni patriot, nuk po mendoj në ata patriot të cilët e kanë bindje këtë punë, sado që të duken absurde sot. Nuk mendoj në ata që ngrihen në këmbë kur këndohet himni, apo ngrihet flamuri dhe këta marrin qëndrimin gatitu dhe dridhen nga ngashërimi. Nuk po mendoj në ata patriotë naivë, të butë të cilët në të njëjtën kohë frymëzohen me trimin që i pret 20 koka, në këngë! Nuk po mendoj as në ata patriot që djegin flamujt e vendit të vet sepse shteti i tyre është bërë i egër dhe i terrorizon qytetarët, apo qeveritë janë bërë marionetë dhe nuk përfaqësojnë më interesat nacionale. Nuk mendoj as në ata patriotë që nuk ngrihen në këmbë kur këndohet himni i vendit të tyre vetëm sepse, pushtetarët janë me profesion patriot, janë… s’janë kërkah, vëlla!

Për fund të kësaj kolumneje heretike, të ju them se nëse se ke asnjërin nga këto profesione ku e shet krahun, trurin, nderin, ndërgjegjen, mbetet streha e fundit: patriotizmi. Nuk mbetesh pa punë. Gjithnjë i duhet dikujt kur i harxhohen të gjitha argumentet tjera. Në njëfarë forme patriotizmi i bie të jetë vazhdim i luftës me mjete tjera. Politike dhe jopolitike. Qytetare dhe katundare. Reale dhe virtuale! Kur thua patriot, i ke thënë të gjitha.

Prandaj, kujdesuni që në librezën (teseren) e juaj të patriotizmit të keni… edhe vulën.

Exit mobile version