Telegrafi

Prof. Dr. Latifi u takua me Ministren e Shëndetit Publik të Katarit, Dr. Hannan Al Kuwari

Kryetari Themelues i Kolegjit të Kirurgëve te Kosovës, Prof. Dr. Rifat Latifi, është takuar në Doha të Katarit me Ministren e Shëndetit Publik të Katarit dhe Drejtoreshën Menaxhuese të Korporatës Mjekësore Hamad (HMC), Sh. S. Dr. Hanan Mohamed Al Kuwari

Ky takim është realizuar në margjinat e konferencës “Qatar Health Congress 2023”, që po mbahet në Doha të Katarit. Në këtë takim, Prof. Rifat Latifi ishte i shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Katar, z. Fuad Morina.

Në po këtë qendër të Korporatës Mjekësore Hamad (HMC), në periudhën 2011-2014, Prof. Dr. Latifi kishte shërbyer si drejtor i Sistemit dhe Qendrës së Traumës, duke e shndërruar në një nga qendrat më të mira në botë, dhe në Lindje të Mesme. Ndërsa, Dr. Al Kuwari e udhëheq këtë qendër të madhe mjekësore që nga viti 2007.

Gjatë këtij takimi u bisedua për shumë çështje aktuale, gjersa në fokus ishte bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Katarit në fushën e shëndetësisë dhe posaçërisht implementimi i iniciativave të Dr. Latifit të nisura gjatë kohës sa ishte ministër i shëndetësisë në Kosovë.

Ministrja e Shëndetit Publik të Katarit, Dr. Hanan Mohamed Al Kuwari, shprehu gatishmërinë e saj të plotë dhe të autoriteteve të Katarit të ndihmojnë në planin ambicioz të krijimit të Qendrave të Ekselencës dhe Edukimit, si dhe trajnimit të stafit mjekësor të Kosovës.

Në takim u bisedua edhe për mundësinë e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit midis Ministrive të Shëndetësisë të dy vendeve, ndërsa ministrja Al Kuwari shprehu gatishmërinë për nisjen e shkëmbimit të kuadrove dhe trajnimeve qysh tani.

Dr. Al Kuwari shprehu kënaqësinë që Dr. Latifi si kirurg i Qendrës Mjekësore Hamad, e cila ofron 95 % të shërbimeve mjekësore në Katar, u bë ministër i Shëndetësisë në Kosovë. Ajo vlerësoi lartë faktin që Dr. Latifi tani si qytetar i lirë dhe Kryetar i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, po vazhdon me këmbëngulje përpjekjet për të transformuar shëndetësinë e Kosovës.

Të dy u pajtuan me nevojën e angazhimit të secilit në transformimin e shëndetësisë në vendet që janë në konflikt dhe pas konfliktit, duke u angazhuar të ruajnë jetën e atyre që punojnë nëpër spitale në zonat që janë të përfshira në konflikte nëpër botë.

Dr. Al Kuwari e ftoi Dr. Latifin për vizita të tjera në Katar, dhe shprehu zotimin për vazhdimin e bashkëpunimit të përbashkët.

Gjatë qëndrimit në Doh, Katar, Dr. Latifi ka vizituar spitalin Sidra Medicine në Doha, i cili njihet si njëri ndër spitalet më të mira në botë.

Më këtë rast, ai u takua me udhëheqësit e këtij institucioni shëndetësor, Prof. Ibrahim Janahi dhe Dr. Ahmed Al Hammadi, kurse nga reparti i Pediatrisë me Dr. Ian Pople, dhe me Nadim Osseily Bassem Tarhini, përfaqësues i Qendrës së Simulimit.

Temë diskutimi e këtij takimi të përbashkët ishte mundësia e bashkëpunimit në shumë sfera, veçmas për atë të sub-specializimeve në Pediatri.

Ndërsa gjatë vizitës në Qendrën e Simulimit në spitalin Sidra Medicine, u diskutua gjithashtu edhe mundësia e bashkëpunimit mes kësaj qendre dhe Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës në fushën e edukimit të vazhdueshëm profesional.

Në kuadër të Konferencës “Qatar Health Congress 2023 & 3rd Public Health Conference: Clinical and Public Health Advances and Updates in Managing Complex”, Prof. Dr. Rifat Latifi ka mbajtur ligjëratën kryesore “Transformimi i Shëndetësisë në Vendet pas Konflikteve: Perspektiva e ish-Ministrit të Shëndetësisë dhe kirurgut traumatolog”, ku ka folur për përvojën e tij si Ministër i Shëndetësisë së Kosovës, dhe çfarë duhet të bëhet në mënyrë që të transformohet shëndetësia në vendet që janë në konflikt apo që kanë dalë nga konflikti, duke e marrë si shembull Kosovën. /Telegrafi/