Telegrafi

Produktet e Maqedonisë do të jenë më konkurruese në tregun e Kosovës

Kjo do të ndodhë se deri më 20 qershor është afati që Serbia, Bosnjë-Hercegovina dhe Moldavia do të tërheqin embargon e vendosur gjatë vitit 2008 në Kosovë. Këto tre vende nuk kanë njohur deklaracionet doganore me vulat e shtetësisë së Kosovës, dhe kjo automatikisht ka nënkuptuar edhe mospranimin e prodhimeve kosovare në tregjet e tyre.
Në rast se këto tre vende nuk ndryshojnë qëndrimin, atëherë Kosova planifikon rritjen e doganës për 10 për qind për mallrat dhe prodhimet serbe, boshnjake dhe moldave, që eksportohen në Kosovë.

Në rast se do të ndodhë rritja e tarifave doganore, atëherë Maqedonia do të rris eksportet e mallrave për në Kosovë, ndërsa prodhimet e saj do të jenë më konkurruese. “Kjo do të ishte një përparësi për Maqedoninë dhe prodhimet e saj, pasi që do të ketë rritje të pasimit të mallrave në Kosovë”, theksoi kryetari i OEMVP-së, Menderez Kuçi, raporton agjencia e lajmeve INA.

Maqedonia është një nga partnerët më të mëdhenj tregtar me Kosovën, ndërsa vetëm gjatë vitit të kaluar janë eksportuar në këtë vend fqinj mallra me vlerë prej 400 milionë euro. /Telegrafi/