Site icon Telegrafi

Produktet e falsifikuara rëndojnë bizneset vendore

Dogana e Kosovës e shënoi sot Ditën Ndërkombëtare të Pronësisë Intelektuale me një aktivitet në sheshin “Nënë Tereza”, ku nëpër tavolina u vendosen shumë produkte të falsifikuara, të cilat rëndojnë jashtëzakonisht bizneset vendore.

Mallra të falsifikuar, të konfiskuar nga ana e Doganës së Kosovës gjatë tentimeve për import ilegal, ishin ekspozuar përballë produkteve të brendeve origjinale.

Në stendat e vendosura në shesh mund të merreshin edhe informata për masat që ka ndërmarrë institucioni kompetent për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale.

Një aktivitet tjetër me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Pronësisë Intelektuale, ishte konferenca me temë “Sfidat dhe të arriturat e pronësisë intelektuale në Kosovë“, organizuar nga Agjencia për Pronësi Industriale, që vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, duke e hapur konferencën, ritheksoi përkrahjen e saj të fuqishme për forcimin e sistemit të pronësisë intelektuale në Kosovë.

Sipas Bajramit, forcimi i një sistemi të tillë është dhe do të mbetet prioritet i MTI-së deri në përmbushjen e plotë të obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian, që pritet të ratifikohet gjatë këtij viti.

Ajo vuri në pahi se “duhet të sigurohemi që përmes mbrojtjes së pronësisë intelektuale të inkurajohen zhvillimet e reja teknologjike, të nxisin inovacionin dhe shpikjet, dhe të mbrohet reputacioni i brendeve të kompanive vendore dhe ndërkombëtare”.

Ministrja po ashtu tha se do të kërkojë nga Këshilli Shtetëror për Pronësi Intelektuale që të diskutojë mundësinë e zgjerimit të kompetencave të task-forcës kundër piraterisë, e cila do të merrej me luftimin e falsifikimit jo vetëm në fushën e së drejtës së autorit, por edhe në luftimin dhe parandalimin e falsifikimit të produkteve që mbrohen me të drejtat pronësore industriale. /Telegrafi/

Exit mobile version