Telegrafi

Produktet e Devolli Corporation edhe në SHBA dhe shtetet e BE-së

Përvoja e suksesshme eksportuese e kompanisë Devolli Corporation me pronar Shkelqim Devollin, sfidat me të cilat përballen prodhuesit vendor, si dhe hapat që duhet t’i ndjekin institucionet e vendit për zhvillimin e mëtutjeshëm të sektorit të prodhimtarisë, ishin temat kryesore për të cilat u diskutua në konferencën për media, të organizuar nga Devolli Corporation.

Mediave të pranishme në këtë konferencë, iu drejtua drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka dhe menaxheri i Projekteve i Kompanisë Devolli Corporation, Burim Kuraja.

Ndër të tjera, Zeka theksoi se vështirësive me të cilat përballen prodhuesit kosovarë në plasimin e produkteve të tyre jashtë vendit për shkak të pengesave të shumta, kompania Devolli Corporation ka vazhduar punën e saj të suksesshme si prodhues vendor, duke u bërë një ndër eksportuesit më të mëdhenj vendor, për çka edhe mori titullin si Eksportuesi i Vitit 2014 nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Ai po ashtu theksoi se në përgjithësi mjedisi afarist në Kosovë nuk është shumë favorizues për sektorin e prodhimtarisë kjo edhe për shkak të politikave jo të favorshme fiskale të trashëguara nga e kaluara, duke ftuar institucionet e vendit që të vazhdojnë më tej me fuqizimin e vendimeve të cilat mundësojnë lehtësirat fiskale për investimet e reja varësisht nga shuma e investimeve dhe numri i vendeve të krijuara të punës.

Përfaqësuesi i Devolli Corporation, Kuraja, foli më tepër për investimet e kësaj kompanie dhe sfidat nëpër të cilat kjo kompani ka hasur gjatë punës së saj për të depërtuar në tregjet e jashtme.

Ai njoftoi se aktualisht kompania Devolli Corporation ka arritur të zgjerojë eksportet e saj në 18 shtete, përshirë këtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Angli, Suedi, Zvicër, Austri, Holandë, Danimarkë, Norvegji, Itali, Slloveni, Turqi, Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi, Serbi dhe Gjermani, të cilat në total arrijnë vlerën prej afro shtatë milionë euro.

Më tej, Kuraja u shpreh i kënaqur me rezultatet e Devolli Corporation si Eksportuesi i vitit, duke theksuar që ky epitet vetëm sa i obligon që të punojnë më tepër në zhvillimin e sektorit të prodhimtarisë, dhe ekonomisë së vendit në përgjithësi, duke kontribuar sadopak edhe në zbutjen e papunësisë në vend.

Sa i përket planeve të kompanisë për të ardhmen, Kuraja theksoi se synimet e tyre janë investimet në linjat e reja të prodhimit si dhe zhvillimi i mëtutjeshëm i eksportit në 13 shtete të reja.

Në pjesën e fundit të kësaj konferenca, ishte e rezervuar hapësira për pyetje të gazetarëve, ku u diskutua më tepër rreth problemeve me të cilat përballen kompanitë e sektorit të prodhimit, përfshirë politikat fiskale, furnizimi me energji elektrike dhe tarifat që aplikohen në këtë drejtim, me ç’rast Oda Amerikane u shpreh e gatshme që në vazhdimësi do të kontribuojë me rekomandimet dhe punën e saj drejt përmirësimit të këtyre politikave dhe ambientit të të bërit biznes në përgjithësi.