Prodhuesit vendorë kërkojnë mbështetje më të madhe nga shteti për të mbuluar humbjet që solli viti 2020. Pandemia COVID-19 krijoi vështirësi edhe për kompaninë “Pestova” nga Vushtrria që është prodhues e “Vipa Chips”.
Kjo kompani është ballafaquar me probleme të ndryshme në kohë pandemie, ndërsa muajt që kishte me së shumti humbje, ishin muajt e parë pas shfaqjes së rasteve të para me COVID-19.
Menaxheri i prodhimit në këtë kompani, Agran Halimi, në një intervistë për KosovaPress ka thënë se në muajin mars dhe prill janë regjistruar humbje të mëdha, mirëpo ai thotë se kanë punuar pandërprere që të zvogëlojnë humbjet.
Ai thotë se pas kalimit të dy muajve të parë të pandemisë në vend, edhe eksporti ka pasur rritje dukshëm me të madh, ku ka ndihmuar kompaninë të që të marrë sado pak veten
“Muaji mars 2020 kur filloi pandemia dhe prill kanë qenë muajt të cilët kanë rezultuar me humbje në kompaninë tonë, humbje të cilat jemi munduar në muajt në vazhdim t’i rikuperojmë, mirëpo ka qenë e pamundur, sepse kanë qenë humbje të mëdha. Muajt në vazhdim kemi punuar në vazhdimësi, pa ndërprerje, ku humbjet kanë qenë minimale, mirëpo ajo çka dua të theksoj është se gjatë kësaj kohe eksporti ka pasur një rritje të shkëlqyeshme dhe neve na ka ndihmuar të jemi në trendin e zhvillimit thuajse normal”, ka thënë Halimi.
Ai thotë se edhe masat të cilat iu nënshtroheshin mjetet transportuese në pikat kufitare në fillim të shfaqjes së pandemisë ndikuan në këtë kompani, pasi që nuk kanë mundur të arrijnë në vendin dhe kohën e duhur.
“Si rezultat i pandemisë, mundësia e lëvizjes e vogël, transportet kanë qenë problem për arsye se nuk kemi arritur të jemi në kohën e duhur dhe vendin e duhur, si rezultat i kufizimeve nga ana e pandemisë”, ka thënë ai.
Halimi shton se mbështetja që është duke ofruar shteti për prodhuesit vendorë është e pamjaftueshme dhe se institucionet duhet të jenë më afër prodhuesve që të tejkalohet me lehtë kjo sfidë.
“Mbështetja sikur tek ne dhe te prodhuesit tjerë dhe çdo ekonomi tjetër, ka nevojë për mbështetje. Nuk mund të themi që nuk kemi pasur fare mbështetje, ato kanë qenë, mirëpo bazuar në kërkesat e prodhimit dhe në kohën kur është prodhuar janë të pamjaftueshme. Institucionet si ato vendore, komunale dhe ato qendrore të jenë më afër prodhuesve dhe me afër ekonomisë me kusht që të tejkalohet kjo sfidë”, ka shtuar Halimi.
Ai ka thënë se kjo kompani ka mbi 200 punëtorë dhe përkundër sfidave dhe humbjeve nuk kanë larguar as një punëtor nga puna, dhe të gjithë ata janë paguar me rregull.