Prodhuesit vendorë ankohen për trajtimin joadekuat që po u bëhet nga qendrat e mëdha tregtare, të cilat sipas tyre po u kërkojnë kushte të papërballueshme për ta. Zëvendës-kryeministri Ramiz Kelmendi shpesh ka deklaruar se po i mbështet prodhuesit vendorë përmes rrjetit të marketeve ETC, por prodhuesit thonë se ai ka bërë marketing politik.
Qendrat e mëdha tregtare shpesh promovohen si mbështetëse të prodhimit vendor, por në realitet u qesin kushte të papërballueshme për ta. Kështu thotë prodhuesi, Nysret Durmishi.
“Kërkojnë një çmim që ndoshta nuk përputhet me mundësitë tona që i kemi, kërkon një rabat vjetor, kërkon t’ia paguash ekstra ekspozimin e produktit në lokalet e tyre, që është krejtësisht e pakapshme, në një formë unë si biznes i vogël me kapacitetet që i kam, ato kushte nuk mund ti përballojë.”
Zëvendëskryeministri aktual Remiz Kelmendi shpesh ka folur për mbështetjen që u jep prodhuesve vendorë në rrjetin e marketeve të tij ETC. Por, prodhuesi i pastave nga Prizreni, Durmishi, thotë se nuk ka hasur në asnjë lloj mbështetje nga z. Kelmendi.
“Jam prodhues i vogël, i kam tri oferta që i kam bërë personalisht në zyrat e ETC-së ku është pronar z.Kelmendi, konkretisht në zyrën që është për zhvillim të biznesit vendor dhe unë akoma nuk kam asnjë përgjigje. Kjo është qe një vit”, tha ai.
Kelmendi shpesh ka ftuar qytetarët të konsumojnë prodhime vendore. Por prodhuesi në fjalë shtron pyetjen se si Kelmendi kërkon të konsumohen ato, përderisa ai nuk u jep mundësi qytetarëve ti shohin prodhimet vendore.
“Kisha bërë një lutje, ta në krijoni një mundësi të vogël që edhe ne ta reklamojmë produktin tonë. Obligimi i tyre është që produkti jonë të vijë në dorë të konsumatorit, e atëherë është konsumatori që do të vendosë a do të konsumojë produktin tim apo produktin e tjetrit”, ka theksuar Nysret Durmishi
Kurse zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi thotë se hapësirat ekonomike janë hapësira private.
“Ne nuk mund të ndikojmë që ato hapësira të dedikohen kujtdo, me çfarëdo interesi për arsye se ata kanë planet e veta të profitabilitetit dhe ata bëjnë ekzistencën duke u bazuar në shitjen e përgjithshme të artikujve”, tha ai.
Për rastin konkret të prodhuesit nga Prizreni, Kelmendi tha se nuk është i vërtetë. “S’është e vërtetë, është gënjeshtër. Nuk dërgohen letra, vjen me mostër vet. Nuk e di a ka qenë apo ajo, veç ai mundet me mendua që shkon dikush në Prizren që ia merë”, theksoi ai.
Zëvendëskryeministri Kelmendi edhe pasi e mori këtë detyrë qe një muaj, vazhdimisht premton mbështetje të Qeverisë për bizneset dhe prodhuesit. /Radio Kosova/Telegrafi/