Prodhuesit vendor kanë ankesa ndaj marketeve të mëdha, se u vendosin kushte të papërballueshme për ta.
Për këtë gjë janë ankuar edhe tek ministrja e Tregtisë e Industrisë Hykmete Bajrami. Ministrja Bajrami për Radio Kosovën ka deklaruar se do të mundohen të gjejnë zgjidhje brenda kornizës ligjore, edhe pse ajo sugjeron që prodhuesit të ulin koston e prodhimit dhe të ngrisin kualitetin
Në tregtinë e sotme, marketet e mëdha që kanë qarkullim më të madh, kanë filluar të vendosin kushte ndaj atyre që ofrojnë produkte për shitje. Ndër kushtet, veç tjerash janë detyrimi për pritje të arkëtimit të mjeteve derisa të shitet komplet malli i ofruar, që mund të merë edhe disa muaj, apo kërkesa e pagesave ekstra për të vendosur produktin në vend të dukshëm. Këto kushte për shumë prodhues vendor janë të papërballueshme. Prodhuesi i vajit ushqimor, Sylejman Konushevci, thotë se shumica e marketeve i vendosin këto kushte.
“Mund të them diku në 70% e marketeve të mëdha është i njëjti problem, sepse në shumë markete u japin prodhimeve të huaja prioritet se sa neve. Do me thënë që prodhimet që vinë nga Serbia ata i paguajnë avans ndërsa tonat duhet me i pritë me afate dhe plus kushte të ndryshme.”
Ky prodhues thotë se është ankuar direkt gjatë një takimi të përbashkët me ministren e Tregtisë e Industrisë Hykmete Bajrami. Kurse ministrja Bajrami për Radio Kosovën ka thënë se nuk ka shumë hapësirë ligjore për të ndikuar tek tregtarët.
“Tani ne disa çështje do ti adresojmë përmes ligjit për tregti të brendshme, nuk e besoj se mund të adresojmë pothuajse gjithçka. Me ministrin Hoti jemi marrë vesh që në ditët në vijim të kemi një takim me përfaqësuesit e rrjeteve kryesore tregtare në Kosovë në mënyrë që gjatë përpilimit të Pakos së Re fiskale, të mundohemi që ne të ofrojmë diçka tregtarëve, ndoshta në këmbim të mbështetjes së prodhuesve vendor”, theksoi Bajrami. /Telegrafi/