Telegrafi

Prodhuesit kosovarë në prag të kolapsit

Prodhuesit kosovarë ankohen se në Kosovë ende mungojnë politikat që favorizojnë ekonominë vendore dhe kjo po krijojnë pabarazi në treg, në veçanti karshi atyre vendeve që kanë politika që mbështesin prodhimin vendor.

Berat Mustafa, përfaqësues i kompanisë vendore “RC – Cola”, e cila merret me prodhimin e lëngjeve, tregon për problemet, me të cilat ballafaqohen. Sipas tij, mos pasja e politikave tw mira prodhuesit, janw të dëmtuar.

“Në këtë mënyrë po i japim hapësirë importit. Kërkojmë së paku të jemi të barabartë me vendet fqinje. Ne, si kompani, kemi eksport, por me krijimin e politikave më favorizuese do të ishim më shumë prezent”, tha ai.

Mustafa thotë se kërkojnë përkrahje nga Qeveria e Kosovës, pasi që, siç shprehet ai, nëse nuk do të ketë favorizime të prodhuesit vendor, atëherë shumë biznese vendore mund të shuhen.

“Një ngarkesë, të cilën vendet në regjion nuk e kanë, e ne e kemi, është akciza në lëngje 0.45 cent për litër, që është një ngarkesë shumë e madhe, kurse vendet në regjion, si Serbia, nuk e ka atë akcizë të brendshme, kurse akcizën e jashtme e ka. Në këtë moment shihet se Serbia është e favorizuar për të importuar mallra në Kosovë, kurse Kosova nuk mund të importojë në Serbi”, thekson Mustafa për Radion Evropa e Lirë

Në anën tjetër, përfaqësues të bizneseve në Kosovë vazhdimisht kanë marrë iniciativa për promovimin e prodhimeve e vendore, në mënyrë që të krijohen lidhje të reja mes afaristëve vendas, si dhe atyre të huaj.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht angazhimeve të shumta të tyre, produktet kosovare mbesin të pafavorizuara. “Qeveria e Kosovës nuk ka arritur që të bëjë një strategji zhvillimore për sektorin e prodhimtarisë vendore, po as për sektorët e tjerë. Në mungesë të saj, ne ende nuk e dimë se cili sektor është me prioritet në Kosovë, cilit duhet t’i jepen politika favorizuese. Si i tillë, tregu tepër liberal i Kosovës po bën diskriminim ndaj ekonomisë vendore”, pohon Shahini.

Ndërkohë, sipas të dhënave të Entit të Statistikave, deficiti tregtar i Kosovës për 8 muajt e këtij viti, ka arritur në 1 miliard e 167 milionë euro.

Shahini kërkon nga Qeveria që të stimulohen prodhuesit, në mënyrë që këta të fundit ta rrisin prodhimin, shitjen, kapacitetin dhe cilësinë.“Besoj dhe shpresoj se të gjithë qytetarët, politikë-bërësit dhe investitorët duhet të kuptojnë se ekonomia e shëndoshë varet nga prodhimtaria vendore”, vlerëson Shahini.

Autoritetet kosovare çdo herë kanë deklaruar se janë duke punuar për përmirësimin e kushteve për prodhuesit vendorë, por këta të fundit çdo herë janë ankuar për mungesë të një ambienti më të favorshëm biznesor. /Telegrafi/