Telegrafi

Prodhuesit e qumështit paralajmërojnë grevë

Dy shoqatat e industrisë së qumështit, e prodhuesve dhe ajo e përpunuesve, kanë kërkuar nga qeveria që të në mënyrë të ngutshme të ndikojë në përmirësimin e gjendjes në këtë sektor.

Në të kundërtën ata paralajmërojnë protesta prej datës 20 prill. Kështu thanë drejtuesit e këtyre shoqatave në një konferencë për media në Prishtinë.Qumështarët e Kosovës janë tejet të pakënaqur me gjendjen që mbretëron në këtë sektor.

Problemet e qumështarëve nuk janë zgjidhur asnjëherë, përkundrazi janë rritur me kalimin e viteve, tha drejtuesi i shoqatës së prodhuesve të qumështit, Behlul Behluli.

Ai theksoi se në Kosovë nuk grumbullohet e tërë sasia që prodhohet në fermat vendore, ndërkaq rreth 80 për qind e tregut është i mbushur me prodhime të importit.

Ndër kërkesat kryesore të qumështarëve janë subvencionimi i prodhuesve të qumështit, sigurimi i çmimit minimal për grumbullim të qumështit të freskët, rivlerësimi i bazës doganore për qumësht dhe prodhime të qumështit, lirimi i përpunuesve të qumështit nga TVSH-ja etj.

Drejtuesi i shoqatës së përpunuesve të qumështit, Ramadan Memaj tha se Kosova është i vetmi vend në rajon dhe Evropë që nuk ka ndërmarrë asnjë masë që t’i mbrojë, stimulojë apo zhvillojë prodhimet vendor.