Telegrafi

Prodhuesit e patateve i “shpëton” Serbia

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini tha se prodhuesit e Kosovës, të cilët dërgojnë produktet e tyre në Serbi, atë po e bëjnë në mënyrë jo të rregullt, por që po e bëjnë për shkak të mbijetesës që ata duhet të bëjnë që të ekzistojnë.

Shahini ka bërë të ditur, se ata që po shkëmbejnë produktet në Serbi, e bëjnë përmes dokumenteve të Mitrovicës Veriore. “Disa e bëjnë për përfitime e disa e bëjnë për halle, më parë tregjet e patates për prodhuesit ka qenë Shqipëria, por pas vendosjes së doganës mbi këtë produkt dhe monopoleve në këtë vend është bërë i pamundur eksporti në këtë drejtim”, theksoi Shahini.

Shukri Xhaferi tregtar i patateve nga Vushtrria tha se po të mos ishte tregu i Serbisë dhe i Bosnjës e Hercegovinës, të gjitha patatet e tij, do të kalbeshin. “Tregu i Kosovës nuk e absorbon prodhimin e gjithëmbarshëm të këtij produkti, ndërsa në Shqipëri janë krijuar monopole dhe nuk po eksportojmë më”, tha ai. Sipas Xhaferit, një kilogram patate për tregtarët në Serbi, shitet 30 deri në 40 cent ndërsa në Shqipëri tani nuk po shiten as për 24 cent. /Qendra/Telegrafi/