Site icon Telegrafi

Prodhuesit e makinave pritet t’i kundërpërgjigjen tarifave të SHBA-ve

Zyrtarët e Kanadasë, Bashkimit Europian, Japonisë, Meksikës dhe Koresë së Jugut do të takohen në Gjenevë këtë javë, për të diskutuar se si do të reagojnë ndaj kërcënimeve të Donald Trump për tarifa në importet e makinave.

Administrata e Trump ka kritikuar ashpër prodhuesit e makinave ndërkohë që po konsideron tarifa në 25%, diçka që analistët paralajmërojnë se do të rrisin kostot e makinave, dëmtojnë shitjen dhe vendet e punës në të gjithë botën.

Shumë prodhues të mëdhenj kanë zhvilluar bisedimet gjatë ditëve të fundit për kundërpërgjigjen ndaj Trump, i cili nisi një hetim në datën 23 Maj për të zbuluar nëse importet e makinave kërcënojnë sigurinë kombëtare. Hetimi mund të përfundojë brenda disa javëve dhe mund të rezultojë në përforcimin e barrierave tregtare.

Nuk është ende e qartë se çfarë reagimi mund të ndërmarrin vendet, pavarësisht se Kanadaja, Bashkimi Europian dhe Meksika, u kundërpërgjigjën me tarifa të tyre, pas barrierave tregtare për çelikun dhe aluminin. Një tjetër alternativë është që të luftojnë Shtetet e Bashkuara nëpërmjet rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë.

“Takimi pritet të bashkojë vendet prodhuese të makinave në mënyrë që të diskutojnë shqetësimet e lidhura me hetimin në SHBA”, deklaruan zyrtarët në Kanada. Tarifat mbi makinat mund të godasin kompani përfshirë Hyundai, Toyota, BMW si dhe marka amerikane si General Motors, Ford dhe Fiat Chrysler.

Marrëveshja e Trump javën e kaluar me Bashkimin Europian për të hequr kërcënimin ndaj makinave, ka reduktuar shqetësimet, megjithatë, vendimi përfundimtar nuk do të bëhet i ditur deri sa hetimi të përfundojë. /Telegrafi/

Exit mobile version