Telegrafi

Prodhuesit dhe përpunuesit e mishit kërkojnë ndryshim të ligjit

“Kërkojmë publikisht nga nënshkruesi i këtij udhëzimi Kryeministri Hashim Thaqi që të anulojë menjëherë këtë udhëzim administrativ, si udhëzim i njëanshëm i pabazuar, përbuzës për kompanitë vendore dhe në kundërshtim me premtimet e qeverisë për zhvillim të ekonomisë vendore, hapjen e vendeve të reja të punës dhe favorizim e të gjithë asaj që quhet vendore”, u konludua në mbledhjen e mbajtur sot në Odën Ekonomike të Kosovës (OEK).

Kryetari i SHPPM-së Burim Piraj ka vlerësuar se udhëzimi ka përmbajtje të cilat janë të papranueshme për importuesit dhe përpunuesit e mishit si dhe për qytetarët e Kosovës.

“Në mungesë të informatave të drejtpërdrejta nga AUV ne e thirrëm një takim në OEK ku do të diskutojmë në lidhje me këtë udhëzim dhe në lidhje me rrethanat që do të krijonte zbatimi i kësaj rregulloreje”, tha Piraj.

Sipas Piraj, që u përkrah edhe nga pjesëmarrësit tjerë me këtë udhëzim e drejta e importit ju jepet kompanive të huaja, gjë e cila jo që do të dëmtojë vetëm buxhetin por do të shkurtoj dhe shumë vende të punës në Republikën e Kosovës.

“Udhëzimi administrativ 07/2009 është më ekstrem se ai Rus për arsye se i përjashton kompanitë vendore në import të këtyre produkteve”.

Prodhuesit dhe përpunuesit e mishit shprehen besimin se vërejtjet e tyre do të merren seriozisht dhe se Qeveria do të ndryshon këtë urdhëresë administrative. /Telegrafi