Telegrafi

Prodhuesi turk i raketave Roketsan teston përsëri me sukses raketën balistike Tayfun

Prodhuesi turk i raketave Roketsan testoi të martën me sukses raketën balistike me rreze të shkurtër veprimi Tayfun (Typhoon) në provincën Rize të vendit në Detin e Zi.

Sipas mediave turke, përcjell Telegrafi, Ismail Demir, kreu i Presidencës së Industrive të Mbrojtjes (SSB), përgëzoi ekipin e përfshirë në projekt.

Tayfun është raketa me rreze më të gjatë veprimi të Turqisë deri më tani.

Firma e testoi më parë raketën në tetor 2022, kur goditi një objektiv nga 560 kilometra (rreth 348 milje) larg.

Ndërkohë, imazhet e raketës balistike Cenk, të shpallura nga presidenti Recep Tayyip Erdogan pas prezantimit të Tayfun, u shfaqën për herë të parë nga kreu i SSB-së më 12 maj 2023.

Cenk është më i madh se sistemet e mëparshme të raketave balistike të Roketsan, Bora dhe Tayfun.

Ndryshe, Roketsan është një zhvillues kryesor i sistemeve të predhave dhe raketave.

Kompania ka zhvilluar disa lloje municionesh inteligjente që janë gjuajtur nga mjetet ajrore luftarake turke Bayraktar TB2 (UCAV) në disa zona lufte, duke përfshirë Sirinë, Karabakun dhe Ukrainën, duke shkatërruar pajisjet ushtarake të armikut nga tanket deri te sistemet e mbrojtjes ajrore. /Telegrafi/