Një ekzekutiv i lartë i Jack Daniel’s nuk është i kënaqur me mënyrën se si disa provinca kanadeze iu përgjigjën tarifave të presidentit amerikan Donald Trump.
Ontario dhe New Brunswick udhëzuan shitësit e alkoolit këtë javë që të hiqnin alkoolin e prodhuar në SHBA nga raftet e dyqaneve.
Tërheqja e alkoolit amerikan ishte në përgjigje të tarifave prej 25% të Trump për mallrat kanadeze, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Lawson Whiting, CEO i kompanisë mëmë të Jack Daniel’s, Brown-Forman, tha se mendonte se hakmarrja e Kanadasë ishte “më e keqe se një tarifë”.
“Kjo është një përgjigje shumë disproporcionale ndaj një tarife prej 25%”, shtoi ai.
Whiting e quajti gjithashtu “zhgënjyese” që disa kanadezë tani nuk mund të blinin Jack Daniel’s për shkak të tarifave.
“Ne do të shohim se si do të funksionojë gjithçka”, tha Whiting.
Brown-Forman, i cili zotëron marka të tjera alkoolike si Old Forester dhe Glendronach, raportoi se shitjet neto ranë me 3% në tremujorin që përfundoi më 31 janar krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Shitjet neto të Brown-Forman në tremujor arritën në 1.04 miliardë dollarë.
Kompania raportoi gjithashtu një rënie prej 6% në të ardhurat e saj neto në tremujorin e fundit krahasuar me një vit më parë. /Telegrafi/