Nga sot e deri më 5 qershor, Maqedonia do të merr pjesë në manifestimin ”Terra Madre Balkan 2016” që mbahet në Tiranë, ku do të prezantohen prodhime bujqësore, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Do të prezantohen llojet e djathit të rajonit të Mavrovës dhe Rekës së epërme, mjalti, reçel nga fiku i egër, vera Stanushina dhe piperi i kuq.
Ky panair mbahet për së katërti herë me radhë. Dy herë është mbajtur në Sofje (2010 dhe 2012), pastaj më 2014 në Dubrovnik. Kësaj radhe organizohet si pjesë e projektit ESSEDRA, që financohet nga BE-ja, përmes drejtorisë së përgjithshme, ndërkaq promovohet nga Slow Food, me qëllim mbështetjen e proceseve eurointegruese të vendeve ballkanike, përmes forcimit të shoqërisë qytetare dhe kapaciteteve të tyre, për të ndikuar në politikë, si edhe promovimin e modeleve të qëndrueshme të zhvillimit rural./Telegrafi/