Telegrafi

Prodhimet bujqësore nga Kosova kanë gjasa të mira të depërtojnë në tregun evropian

Është viti i dytë që firma austriake për konservimin e perimeve Kolm Pfluger ka vendosur një bashkëpunim të mirë me sipërmarrjen private për prodhimin e perimeve “Etlinger” nga Shtimja. Revista austriake për ekonomi “Wirtshafts Blat”, në një artikull kushtuar këtij bashkëpunimi, citon pronarin e firmës austriake të jetë shprehur i kënaqur dhe tejet i befasuar për të mirë, për cilësinë e prodhimeve bujqësore nga Kosova.

“Po funksionon për mrekulli, jam i befasuar pozitivisht”, ka thënë për gazetën “Wirtschafts Blat” sipërmarrësi austriak Peter Pfluger. Megjithatë, ai përmend se partnerit të tij nga Kosova, ndërprerja e energjisë elektrike po i shkakton vazhdimisht vështirësi në serra për prodhimin e perimeve. Pa një agregat të vetin partneri im në Kosova nuk do të kishte sukses.

Pronari i firmës austriake rrëfen për shtypin austriak se si firma kosovare nga Shtimja “Elniger” po arrin të marrë tri të korra në serrat e veta në Shtimje. Në vitin 2008 pronari austriak kishte vendosur bashkëpunimin me firmën “Elinger” nga Shtimja. Ai i kishte vënë në dispozicion fermës bujqësore në Shtime farat për speca, tranguj dhe feferona.

Kështu Brenda një viti firma austriake ka importuar nga Kosova, konkretisht nga firma “Elinger” e Shtimjes 60 mijë kavanoza me feferonë, 50 mijë kavanoza speca dhe 20 mijë syresh me tranguj.

Projekti ishte mbështetur edhe nga agjencia austriake për zhvillim.

Duke parë zellin dhe përfitimin nga ky bashkëpunim firma austriake tani ka investuar edhe 100 mijë euro për ndërtimin e një serre të re.

“Në Kosovë klimë është shumë më e ngrohtë se në Austri, prandaj janë të mundura tri të korra në vit”, thotë Pfluger – pronar i kompanisë austriake e cila po importon prodhimet bujqësore kosovare.

Firma austriake duke parë cilësinë e prodhimeve bujqësore po planifikon që së shpejti të zëvendësojë importin e perimeve nga vendet lindjes me importet bujqësore nga Kosova.

Vetëm Brenda një viti bashkëpunimi me firmën kosovare, Kolm Pfluger ka rritur fitimin nga 1.6 milionë, në 2 milionë euro. /rtk/