Telegrafi

ProCredit Bank lanson produktin e ri Eko Kredi

ProCredit Bank njëherësh është edhe banka e parë partnere e një programi kredidhënës të KfW që ka për qëllim të promovojë në mënyrë eksplicite mbrojtjen e ambientit në Kosovë përmes sektorit bankar.

Kreditë Eko janë të dizajnuara për ekonomitë familjare për të financuar investimet dhe masat e marra për kursimin e energjisë si instalimi i dritareve të reja me izolues më të mirë, ngrohës uji më efikas apo sisteme më të mira të ngrohjes. Duke investuar në teknologjitë e kursimit të energjisë, ekonomitë familjare mund të kursejnë para në faturat e energjisë përderisa në të njëjtën kohë kontribuojnë në mbrojtjen e ambientit.

Me rastin e lansimit të këtij produkti, Philip Sigwart , Drejtor Gjeneral në ProCredit Bank ka pohuar se banka që ai drejton është e para në Kosovë që ofron Eko kredi dhe me ofrimin e këtij prokuti mund të japim një kontribut shumë të rëndësishëm në bërjen e Kosovës më të pavarur në sektorin e energjisë.

"Kreditë Eko do t’iu jepen ekonomive familjare sikurse edhe bizneseve të vogla dhe të mesme. Rreth 60% e energjisë që përdoret në një shtëpi përdoret për ngrohje. Nëse ekonomitë familjare investojnë në një izolim më të mirë të shtëpisë dhe një sistem më të mirë të ngrohjes, atëherë mund të zvogëlojnë shumë shpenzimin e energjisë që përdoret për ngrohje“.

Sipas Sigwart kërkesat për financimin e investimeve për kursimin e energjisë do të jenë të mëdha në Kosovë për shkak të rritjes së shpenzimeve të faturave të energjisë elektrike.

Ndërkaq Eriola Bibolli Zv/Drejtoresh Gjenerale në ProCredit Bank ka pohuar se përdorimi efikas i energjisë është duke u bërë një çështje e rëndësishme globale për shkak të rritjes së kostos së energjisë, rritjes së varësisë nga importi i energjisë, si dhe për arsye të problemeve ambientale që janë në rritje. /Telegrafi/