Telegrafi

Procesit i privatizimit mbyllet sivjet

Procesi i privatizimit dhe dhënies me koncesion të ndërmarrjeve publike duhet të zhvillohen dhe të përfundojë gjatë këtij viti. Ministri i ekonomisë dhe financave, Ahmet Shala konfirmon se koncesionimi i aeroportit do të kryhet në fillim të vitit, kurse më vonë do të bëhet edhe privatizimi, respektivisht përfshirja e sektorit privat në Poshtë-telekomunikacionin e Kosovës dhe në sektorin e energjisë dhe minierave.

“Këto janë projekte madhore të cilat do t’i ndihmojnë buxhetit të Kosovës që nën një të lirohet nga barra fiskale përkatësisht buxhetore që me vite të tëra ka bërë, sidomos KEK-u, në njëfarë mënyre edhe Aeroporti dhe në të njëjtën kohë të kemi mundësi që këta tre sektorë të zhvillohen konform objektivave të sektorit dhe konkurrueshmërisë që kërkon vet sektori”, tha Shala.

Ministri Shala konfirmon se qeveria do të jetë aksionare në këto kompani, por nuk jep hollësi rreth përqindjes, me arsyetimin se kjo nuk është vendosur ende.

Ndërkohë, ekspertët e ekonomisë thonë se gjendja në këto ndërmarrje publike nuk është e mirë dhe nevoja për investime është mjaft e madhe. Drejtori i Institutit për Studime të Avancuara, Shpend Ahmeti, shprehet se përmes investimeve, këto kompani do të rrisin cilësinë e shërbimeve të tyre dhe performansën në përgjithësi.

“Për aeroportin është i rëndësishëm që të zhvillohet një aeroport më funksional, sepse më një numër kaq të madh të udhëtarëve më shumë se 1 milion udhëtarë në vit, nevojitet një aeroport shumë më funksional. Më investime nga një investitorë privat do të rritej funksionaliteti. PTK-ja nuk do të duhej të privatizohej e tëra, por vetëm menaxhimi, por ai është skeptik rreth privatizimit të KEK-ut, për shkak të problemeve që ka”, tha Ahmeti.

Nga ana tjetër, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi, pohon se paraprakisht duhet të analizohet ky proces dhe të mos bëhen privatizime sikurse të ndërmarrjeve tjera.

“Ne si BSPK nuk jemi pajtuar asnjëherë me metodën dhe mënyrën se si po ndodh privatizimi. Aq më pak do të pajtohemi me privatizimin e ndërmarrjeve publike. Nëse shitet KEK, Trepça, Aeroporti, PTK hekurudha atëherë çfarë po i mbetet Kosovës, po mbetemi qiraxhi në shtetin tonë, tha Arifi.

Ndryshe, sipas një raporti të hartuar nga Instituti për Hulumtime Zhvillimore “Riinvest”, thuhet se faktorët që do të ndikojnë për një proces jo edhe aq të mirëfilltë të privatizimit janë korrupsioni brenda ndërmarrjeve publike, sidomos në Postë-telekomin e Kosovës dhe në Korporatën Energjetike të Kosovës.