Site icon Telegrafi

“Procesi i pajtimit mbështetet nga eurodeputetët, propozim-ligji do të dorëzohet në fundjavë”

Deputetja e pavarur Emilia Aleksandrova, e cila është anëtare e Komisionit për Pajtim sot në konferencë për shtyp tha se procesi për falje ka marrë mbështetje edhe nga eurodeputetët David McAllister dhe Knut Fleckenstein, të cilët sot kanë qëndruar për vizitë në Kuvendin e Maqedonisë.

Ajo tha se eurodeputetët së bashku me ambasadorin e BE-së në Shkup Samuel Zhbogar, kanë dhënë mbështetje dhe inkurajim për vazhdimin e procesit për pajtim dhe falje, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Për ne si deputetë të pavarur kjo ka rëndësi të madhe dhe tregon se jemi në drejtimin e duhur dhe se procesi për falje, pajtim dhe integrim është në rrugën e vërtetë. Këto janë momente historike, të mirëpritura nga të gjithë”, tha Aleksandrova.

Ajo shtoi se nëngrupet e Komisionit për Falje duhet të mbajnë mbledhje në fund të javës, kur edhe pritet të dorëzohet propozim-ligji për amnisti të të akuzuarve për ngjarjet e 27 prillit.

Ndërsa e pyetur nëse do të mbështesin deri në fund ndryshimet kushtetuese, ajo tha se reformat, integrimet dhe falja shkojnë së bashku, pasi sipas saj, njëra pa tjetrën nuk japin zgjidhje cilësore që i nevojitet shtetit./Telegrafi/

Exit mobile version