Analizat e ndryshme , nga institucione serioze, nuk japin shpresë se kjo klasë mund të arnohet sërish, apo të riformatizohet. Ideja e klasës së re politike jo vetëm se po diskutohet, por procesi ka marrë hov dhe po hyn në fazën e formësimit përfundimtarë për të mbushur zbrazëtinë që do të mbetet me shpërbërjen e klaneve vendimmarrëse joformale.
Sllogani dhe procesi
Sllogani i dikurshëm : liri, pavarësi, demokraci, nuk paraqiste vetëm një përmbledhje dëshirash apo qëllimesh politike, por udhëzonte strukturën e një procesi i cili Kosovën do të e nxirrte nga harta politike e Jugosllavisë dhe Serbisë dhe do ta shtynte atë në strukturimin politik, social e ushtarak të Evropës së Bashkuar. Ajo që dikur shpesh përqeshej si formulë e zbrazët e liderit shpirtëror të pavarësisë së vendit, në fakt ishte udhëzues i menduar mirë i rrugës që duhej ndjekur.
Faza e refuzimit dhe ndërtimit të institucioneve ose ndërtimi i vizionit
Pajtimi i gjaqeve dhe ndërtimi i unitetit politik për refuzimin e institucioneve serbe dhe ndërtimi i institucioneve paralele paraqiste bazën shartuese të këtij projekti. Ndërtimi i vizionit dhe vendosja e tij në konjukturën e re regjionale dhe kontinentale krijoj potencialin energjetik të lëvizjes shtetformuese të Kosovës e cila mori edhe bekimin e aleatëve historik të sajë SHBA dhe BE. Tashmë pasi kemi kaluar fazën e refuzimit, krijimit të institucioneve paralele dhe zhvillimin e luftës për liri e cila u kurorëzua me fitore, falë ndërhyrjes vendimtare të Aleancës Veriatlantike e cila e mundi dhe e largoi ushtarakisht ushtrinë dhe forcat e tjera të sigurisë serbe, duket sikur një dorë e zotit cila na u zgjat rastësisht në momentet vendimtare, ndërkohë që kjo në fakt ishte një nga fazat e menduara mirë dhe të ekzekutuara edhe më mirë të ristrukturimit të Ballkanit politik , në funksion të lirimit të energjive krijuese të njerëzve, të ndrydhura nën pushtetin mesjetar social-feudalist dhe për strukturime tjera të resurseve, infrastrukturës dhe ekonomisë.
Faza e ndërtimit të institucioneve reale dhe njohja e tyre ndërkombëtare
Me largimin e forcave serbe të sigurisë, filloi faza e tjetër e ndërtimit të institucioneve të shtetit dhe njohjes së tyre ndërkombëtare e cili po hyn në fazën finale, dhe e cila do të përfundoi me uljen e përfaqësuesit të Kosovës në karrigen e vet në OKB. Kështu do të hapet faza tjetër e shndërrimit të këtij shteti në një vend normal demokratik ku kreativiteti dhe energjia e qytetarëve të sajë do të jenë në funksion të një zhvillimi të vrullshëm ekonomik dhe të funksionimit real të demokracisë qytetare. Në faza të ndryshme të zhvillimit të këtij procesi, ishin fuqizuar personalitete dhe grupe të cilët për shkak të meritave të tyre, reale apo të fryra, kishin ndërtuar pozicione korruptive , shpesh kriminale , të cilat në këtë fazë që po hyjmë do të jenë pengesë e zhvillimit të mëtejmë. Ndërtimi i institucioneve paralele dhe vendimmarrje joformale i cili arsyetohej me mungesën e institucioneve të ligjshme, tashmë është bërë një fenomen anakronik, dhe i dëmshëm për vendin dhe demokracinë dhe nuk premton perspektivë reale për kyçje në strukturimet kontinentale. Autoriteti i ngritur mbi bazën e meritave nga e kaluara, në rastet kur është keqpërdorur për përfitime personale apo grupore të paligjshme në fakt është një keqpërdorim i cili nuk duhet të lejohet pikërisht në emër të atyre idealeve për të cilat këta njerëz janë angazhuar më parë dhe pikërisht për të ruajtur dhe çuar më tej të arriturat e përbashkëta. Pikërisht për këtë, askush nuk do të duhej të fshihej pas organizatave apo personaliteteve tjera për të mbuluar apo arsyetuar gabimet e veta individuale por edhe askush nuk do të duhej të shpallë arbitrarisht pohime të cilat nuk mund t’i dëshmojë dhe kështu të njollosë cilindo qytetarë të këtij vendi.
Faza e demokratizimit dhe zhvillimit të shpejtuar
Askush, askujt nuk mundet të ia mohoj meritat në faza të ndryshme të këtij procesi, por askush nuk mundet që këto merita të i konvertoi në kapital politik për ta bllokuar fazën e ardhshme të zhvillimit të procesit të demokratizimit, zhvillimit dhe integrimit të vendit në BE dhe strukturat globale të sigurisë. Fushata anti-korrupsion dhe fushata anti-krim është e kuptueshme që shikohet me simpati dhe shpresë nga qytetarët e këtij vendi dhe gjithë miqtë e tij. E kaluara dhe e tashmja e ka dëshmuar se miqtë e Kosovës janë të shumtë dhe të sinqertë. Prandaj klithmat për “armikun e brendshëm” i cili “në bashkëpunim me atë të jashtëm” po i luftojnë vlerat e luftës, tashmë tingëllon jo vetëm mjerueshëm por edhe dhimbshëm duke dëshmuar kështu hutinë e atdhetarëve të sinqertë të hutuar në vorbullën e këtyre proceseve çlirimtare të një natyre të cilën ata shpesh nuk i kuptojnë. Shoqëria kosovare, përfundimisht duhet të tejkaloi konfrontimet e të kaluarës, ndarjet në atdhetar dhe tradhtarë dhe duhet të ndërtuar ndarjen e vetme të pranueshme në demokraci për nënshtetasit e një vendi sovran: në qytetar që e respektojnë ligjin dhe ata që nuk e respektojnë. Ndërkohë që edhe ata që gabojnë në raport me ligjin duhet ndërtuar një kulturë humane të trajtimit dhe risocializimit të tyre. Duke marrë parasysh se qytetarët e këtij vendi i presin sfida serioze zhvillimore, etike, ideore etj, koncentrimi në të kaluarën dhe në gara egoiste se “kush po pshu… më larg pas kashtës” apo “ kush po i këndon ma hijshëm me sharki luftës së vet”, duken jo vetëm qesharake por edhe shpenzuese të panevojshme të energjisë e cila nevojitet për zhvillimin e mëtejmë të procesit.
Klasa e re politike dhe faza e integrimit
Gjithsesi, si po shihet me zhvillimet e fundit, të gjitha subjektet aktuale politike, sidomos ato në pushtet kanë plot individ të veshur me përgjegjësi politike dhe me plot dekorata të cilët brenda nate kanë bërë pasuri milionëshe e cila e ka burimin te fuqia politike, dhe brenda nate e kanë “përparuar” tërë farefisin e vet dhe të miqve, nëpër pozita institucionale dhe kanë kryer veprime të jashtëligjshme dhe të gjitha këto tashmë janë vënë nën llupën e monitorimit nga jashtë dhe nga brenda. Hapja e dritares dhe qasjes në këto “ndodhi” që zhvilloheshin në grupe të vogla dhe të mëdha interesi, solli freski dhe shpresë ndër qytetarët e dëshpëruar të këtij vendi të cilët në zgjedhjet e fundit kishin dalë të votonin vetëm në shkallën rreth 30%, çka dëshmon për besimin e tyre të paktë në demokracinë aktuale dhe në institucione. Analizat e ndryshme, nga institucione serioze nuk japin shpresë se kjo klasë mund të arnohet sërish, apo të riformatizohet. Ideja e klasës së re politike jo vetëm se po diskutohet, por procesi ka marrë hov dhe po hyn në fazën e formësimit përfundimtarë për të mbushur zbrazëtinë që do të mbetet me shpërbërjen e klaneve vendimmarrëse joformale.
Shfronsimi i meritokracisë (të ҫfardo lloji) dhe grupeve tjera korruptive, të cilat shihen gabimisht vetëm në radhët e pozitës, ndërkohë që ishin pjesë përbërëse e krejt klasës së vjetër politike pra edhe opozitës aktuale, do të e krijoi hapësirën por edhe energjinë për fazën e fundit të procesit çlirimtar, atë të demokratizimit të vërtetë të sistemit shoqëror dhe institucional të vendit.
Sistemi i ri, i vlerave dhe etika e institucioneve dhe qeveritarëve të rinj, duhet të proklamohet dhe dëshmoj qasjen e vet njerëzore, dhe pragmatike duke ruajtur njerëzit por duke shkatërruar sistemin e krimit dhe korrupsionit dhe në veçanti në ndarjen e tij përfundimtare nga shteti dhe jeta institucionale.
(Autori është drejtor ekzekutiv i Qendrës për Studime Ballkanike)