Site icon Telegrafi

Procesi i legalizimit të ndërtimeve paleje, kërkon debat përmbajtjesor

Procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje është ndër projektet më të rëndësishme dhe po ashtu më të ndërlikuara në periudhën e pasluftës në Kosovë, i cili nuk do të mund të ketë sukses të plotë pa inkorporimin e të gjitha institucioneve gjegjëse, duke përfshirë edhe vet qytetarin.

Kështu tha ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, gjatë debatit të organizuar me gazetarë dhe shoqëri civile që u mbajt në hapësirat e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Duke shpjeguar në mënyrë kronologjike, ministri Agani tha se ky proces ka filluar me miratimin e ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje dhe në fazën e parë të zbatimit të ligjit që ka qenë regjistrimi i ndërtimeve pa leje, në regjistrin shtetëror janë regjistruar mbi 350.000 ndërtime.

“Faza e parë e legalizimit ka qenë sukses shumë i madh. Duke punuar së bashku dhe me resurse shumë të kufizuara, qeveria qendrore dhe ajo komunale dhe qytetarët i kanë identifikuar më shumë se 350,000 ndërtime pa leje. Të gjitha këto ndërtime janë vendosur në një bazë të të dhënave dhe në një hartë digjitale”, pohoi ministri Agani.

Ministri Agani bëri të ditur se si ministria që ai drejton është duke e ndërmarrë një proces reforme paralelisht ne tri kahe: reformimin e procesit të dhënies së lejes për ndërtim, sistemet e planifikimit hapësinor për t’i adresuar shkaqet e problemit, dhe zgjidhjen e mëtejme të legalizimeve.

“Qëllimi ynë është që, sa më shumë që të jetë e mundur, ndërtesat të mos rrënohen, por që rrethanat të formalizohen ashtu si janë dhe të krijohen mekanizma pozitivë përmes përmirësimeve në ndërtim dhe në planifikimin hapësinor që me kalimin e kohës do të çojnë në zhvillimin e Kosovës”, shtoi ministri Agani.

Agani tha se tani ekzistojnë të dhënat e sakta për numrin dhe lokacionet e këtyre ndërtimeve, ku mund të rishikohen politikat ekzistuese që janë të domosdoshme për kompletimin e këtij procesi.

“Sipas Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje, qytetarët kanë pasur 6 muaj mundësi të dorëzojnë aplikimet për legalizim. Periudha e aplikimit ka përfunduar më 16 mars, 2016. Gjatë procesit të amandamentimit të Ligjit do të adresohen të gjitha sfidat dhe paqartësitë që kanë shkaktuar pengesa në funksionimin e plotë të këtij ligji” shtoi ai.

Në këtë debat komente dhe sugjerime dhanë edhe gazetarët, por edhe përfaqësuesi i GAP-it, të cilët shtruan dilemat e tyre përkitazi me mbarëvajtjen e këtij procesi, që padyshim u konsiderua si shumë i rëndësishëm për qytetarët dhe në përgjithësi për vënien e rregullit sa i përket ndërtimeve dhe planifikimit hapësinor.

U bë e ditur se për shkak të mungesës së kapaciteteve të komunave për t’u përballur me një numër të madh të papritur të ndërtimeve pa leje, në regjistër ka pasur shumë gabime teknike me të cilat nuk mund të hartohet një listë reale e rrënimit.

Ndërsa, u inkurajuan të gjithë zyrtarët komunalë dhe mediet që përmes rolit të tyre të mbështesin procesin e legalzimit, duke e ditur që është një projekt me rëndësi për shtetin e Kosovës për mirëqenien dhe sigurinë e Kosovës.
Të pranishëm në këtë debat ishin edhe zyrtarë gjegjës të ministrisë, duke përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm, Arben Çitaku, drejtori i Departamentit për Planifikim Hapësinor, Ndërtim dhe Bani, Blerim Çeku, dhe Udhëheqësi i Divizoinit të Banimit, Xhemajl Metolli. /Telegrafi/

Exit mobile version