Marrëveshja e arritur ditë me parë nga përfaqësuesit e partive politike, të pozitës dhe opozitës me mbështetjen edhe të faktorit ndërkombëtar, me theks të veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe votimi i saj në Kuvendin e Republikës se Kosovës, në formë të Rezolutës, shënon një hap para në krijimin e bazës juridike për mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore në vendin tonë. Duke qenë kështu, në këtë aspekt, kjo marrëveshje pra shënon një hap para në zhvillimin e demokracisë. Partitë politike janë përkushtuar menjëherë që të fillojnë punën, duke propozuar anëtarët e tyre qe di t’i përfaqësojnë në dy komisionet që priten të formohen shumë shpejt: 1. Komisionin për reformën e zgjedhjeve presidenciale që do të hartojë amendamentet e nevojshme kushtetuese dhe çfarëdo legjislacioni të ndërlidhur të nevojshëm për të amandamentuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në mënyrë që presidenti të zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli dhe 2. Komisionin për reformën e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.
Në këtë proces të ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore të bazës juridike për organizimin e zgjedhjeve në vendin tonë, do të ishte e udhës që të hapet debati qytetar, përmes se cilit qytetaret, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe media si faktor relevant të angazhohen që të japin idetë dhe propozimet e tyre rreth kësaj reforme kushtetuese dhe ligjore, sepse kjo çështje është kruciale për përcaktimin e parimeve, mbi te cilat do të organizohen zgjedhjet dhe në këtë mënyrë prekët direkt interesi i qytetarit.
Sipas Rezolutës të miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, tanimë Presidenti i Republikës si garanti i ruajtjes se unitetit të popullit do të zgjidhet drejtpërdrejt nga elektori i vendit. Ky përcaktim, garanton një stabilitet institucional në vend, sepse zgjedhja e Presidentit në këtë mënyrë, garanton një qëndrueshmëri me të madhe në jetën institucionale të vendit, duke pas parasysh situatat e krijuara, të cilat kanë eskaluar deri në kriza institucionale, pas dorëheqjes se Presidentit dr. Fatmir Sejdiu dhe pas largimit nga detyra të Presidentit Behxhet Pacolli.
Ndërsa, sa i përket zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës se Kosovës, tanimë dihet se në bazë të parimeve të vendosura në Rezolutë, Kosova nuk do të jetë me më një zonë zgjedhore, mirëpo ajo do të ndahet në disa zona zgjedhore apo siç theksohet në Rezolutë në disa distrikte zgjedhore. Kjo formë e përfaqësimit është e mirë për faktin se do te kemi një shtrirje më të mirë të përfaqësimit të interesave të qytetarëve në institucionin ligjvënës, mbikëqyrës dhe përfaqësues të vendit. Ndarja në më shumë zona zgjedhore do të jetë edhe një përparësi sa i përket mbarëvajtjes se procesit zgjedhor, sepse do të kemi shtrirje dhe kontroll me të lartë dhe procesi do të menaxhohet me lehtë nga institucionet kompetente për organizimin e zgjedhjeve. Mirëpo, Komisioni për reformën zgjedhore duhet ta këtë parasysh faktin se nuk guxon të kthehet mbrapa sa i përket çështjes se listave të kandidatëve. Procesi duhet të jetë me lista të hapura, për t’i dhënë mundësinë qytetarit që të zgjedhë përfaqësuesit e tij në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Ka zëra që thonë se duhet të organizohet proces zgjedhor me lista të mbyllura. Nëse ndodh kështu nuk do te kemi një proces reformator, por një kthim mbrapa dhe anti reformë zgjedhore, sepse në këtë mënyrë do t’i jepet mundësia klaneve të ndryshme brenda partive që të përcaktojnë deputetët e ardhshëm, duke përjashtuar në këtë mënyrë qytetarin si zgjedhës dhe sovran. Në këtë kontekst, duhet pas parasysh edhe faktin tjetër, se pothuajse në secilën palë zgjedhje ka rënë numri i votuesve, dhe procesi me lista të mbyllura, kur qytetarët nuk kanë mundësinë për të votuar për të preferuarit të tyre do të ndikonte edhe më shumë në rënien e mëtutjeshme të numrit të votuesve.
Praktika e zgjedhjeve të kaluara ka treguar se një çështje tjetër me rëndësi për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor është padyshim çështja e komisionerëve. Sipas mendimit tim, komisionerët nuk duhet të përcaktohen nga partitë politike, por duhet të zgjedhën me konkurs publik nga institucioni i pavarur kompetent për organizimin e zgjedhjeve. Komisionerët në këtë mënyrë do të jenë të pavarur, ndërsa partitë politike mjafton te kenë vëzhguesit e tyre të cilët do të vëzhgojnë procesin zgjedhor.
Po ashtu një çështje tjetër e rëndësishme është edhe çështja e numërimit të votave. Për të garantuar një proces transparent dhe të shëndoshë, nuk është mirë që numërimi të bëhet në qendrat e votimit. Praktika ka treguar se lëndimi i procesit zgjedhor ka filluar në këtë nivel nga komisionarët dhe vëzhguesit e partive politike, duke i manipuluar votat. Meqë tani kemi me shumë zona zgjedhore, do të ishte e udhës që i gjithë materiali i asaj zone zgjedhore të mblidhet në një vend të caktuar, i cili duhet të jetë nën vëzhgimin e kamerave dhe aty të filloj numërimi i votave në praninë e vëzhguesve të partive politike dhe vëzhguesve të autorizuar vendas e ndërkombëtar. Vetëm kështu do të kishim një gjendje që do të garantonte se procesi i numërimit është në rregull dhe vota e qytetarit do të shkoj në vendin për ku është adresuar.
Në fund, duhet të konstatojmë se ndryshimet kushtetuese dhe ligjore sa i përket procesit zgjedhor do të ndikojnë në disa aspekte në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Mirëpo, nuk janë garanti i vetëm. Reforma zgjedhore vendos bazën juridike për organizimin e zgjedhjeve, mirëpo për të garantuar një proces zgjedhor të shëndosh, nuk mjafton vetëm baza juridike, por duhet të ekzistoj edhe vullneti dhe kontributi i të gjithë akterëve në këtë proces, duke filluar nga përfaqësuesit e partive politike, institucionet kompetente për organizmin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve, organizatat vendore dhe ndërkombëtare dhe trupat tjerë që mbikëqyrin këtë proces.