Telegrafi

Procesi i privatizimit sipas planit

Zyrtarët e MZHE-së kanë thënë se në bazë të këtyre të dhënave, këto kompani kanë filluar studimet e tyre të nevojshme mbi gjendjen e KEDS. Në këtë mënyrë kompanitë e parakualifikuara krijojnë një bazë esenciale informative që do të ju ndihmojë në përgatitjen më të detajshme dhe cilësore të ofertave për blerje.

Gjithashtu, kësaj “Dhome të të dhënave” do t’i shtohen edhe disa dokumente të cilat u janë prezantuar për lexim dhe shqyrtim Grupit Qeveritar për Projektet e Energjisë (GQPE).

Ky grup përbëhet nga përfaqësues kompetentë dhe ekspertë nga KEK, KOSTT, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Njësia për Partneritet Publiko-Privat (PPP) dhe përfaqësues profesional të deleguar nga Ministritë që përbëjnë Komitetin Qeveritar të Privatizimit, i cili është formuar enkas për analizimin e dokumenteve kyçe të projekteve të privatizimit të KEDS dhe Kosova e Re.

GQPE u janë prezantuar dokumentet; Memorandumi i Informatave, dokumenti mbi Metodologjinë e Tarifës, si dhe dokumenti tjetër, që parasheh Marrëveshjen e Furnizimit me Energji Elektrike, midis kompanisë së ardhshme private (KEDS) me pjesën e mbetur të KEK (gjeneruesit dhe mihjet).

“Sipas dinamikës së paraparë kohore, Komisioni Qeveritar i Privatizimit, përmes Njësisë për Implementimin e Projektit (NjIP) të privatizimit të KEDS, Këshilltarit të Pavarur Deloitte Counsulting LLP dhe Këshilltarit të Transaksionit IFC (International Finance Corporation, World Bank Group), është duke përgatitur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të shpallur thirrjen për tenderim.

Pas kësaj faze, kur te pranohen ofertat e kompanive të parakualifikuara, do të bëhet edhe përzgjidhja e ofertës më të mirë dhe të favorshme.

Procesi i privatizimit të Distribucionit dhe Furnizimit të KEK, pritet të përmbyllet deri në fund të këtij viti. /Telegrafi/