Telegrafi

Procesi gjyqësor për rastin “Monstra” rifillon më 12 shkurt

Më 15 shkurt në seancë gjyqësore duhet të paraqiten të akuzuarit për rastin “Monstra”, të cilët do të gjykohen nga fillimi për rastin e vrasjes së pesë personave më 12 prill të vitit 2012, te Liqeni i Smillkovës.

Procesi gjyqësor do të ketë fillim të ri, me gjykatësin Ognen Stavrev, sepse Gjykata Supreme i shfuqizoi aktvendimet e shkallës së parë dhe të dytë dhe e ktheu lëndën në rigjykim, me kërkesë të Prokurorisë së Lartë Publike, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Pas këtij vendimi, Gjykata Supreme vendosi edhe për lirimin e të burgosurve Agim Ismailoviq, Haki Aziri, Sami Luta dhe Fejzi Ajdari dhe caktoi masa të kujdesit, gjegjësisht nuk mund të largohen nga qyteti ku jetojnë, ndërsa kanë obligim që dy herë në javë të paraqiten në Gjykatë Themelore Shkupi 1.

Për Halil Demirin dhe Afrim Ismailoviq ka fletë arrest ndërkombëtar, persona që disa vite ndodhen në Kosovë. Nga Prokuroria thonë se ata do të jenë aktiv derisa të vërtetohet se ku ndodhen këto të akuzuar. Demiri dhe Ismailoviq ishin kapur në Kosovë, por autoritetet e Republikës së Kosovës refuzuan kërkesën për ekstradim, sepse nuk janë dorëzuar dëshmi të mjaftueshme për involvimin e tyre në këtë rast.

Sipas avokatit Naser Raufi, është e nevojshme të ndryshohet akuza dhe vlerëson se kanë të drejtë të kërkojnë që rasti të kthehet në fazë të hetimit, sepse sipas vërejtjeve të Gjykatës Supreme ka pasur lëshime në procesin e hetimit./Telegrafi/