Site icon Telegrafi

Procesi gjyqësor me lehonën nga Dibra do të nis nga fillimi

Procesi gjyqësor me lehonën nga Dibra, Jildiz Veaposka, do të nis nga fillimi, nëse nuk ka zgjidhje deri më 5 shtator. Gjyqtari nga Shkupi që udhëheq këtë lëndë është deleguar të punojë në Gjykatën e Strugës deri në fillim të shtatorit. Ndërkohë, seancat vazhdojnë të shtyhen edhe e sotmja është shtyrë me arsyetimin se nuk ka përfunduar superekspertiza, dhe së shpejti do të fillojë pushimi gjyqësor, i cili zgjat deri në mesin e gushtit.

“Dy gjyqtarë kanë dalë në pension, gjyqtari i tretë është në pritje të rastit tim, por nëse gjyqtari i tretë do ta përfundojë rastin tim, apo një gjyqtar i katërt do ta më marrë rastin, kjo do të jetë katastrofë për ne si qytetarë. Për ne si qytetarë, një pritje kaq e gjatë për drejtësi është një periudhë shumë e gjatë dhe na lodh mendërisht, fizikisht dhe financiarisht”, deklaroi Jildiz Veaposka.

Në vitin 2020, pas lindjes me prerje cezariane në spitalin e Strugës, Veaposkës i janë hequr tre organe – vezorja, mitra dhe një veshkë.

“Katër vite ka prej se u hap rasti im, dhe ende pres drejtësi, por ende nuk e di se si do të jetë fundi i asaj drejtësie. A duhet të shpërngulemi nga ky vend, të ikim dhe të mos e shohim atdheun tonë shkaku i këtyre gjërave”, tha Jildiz Veaposka.

Aleksandar Stankov, drejtor i Mjekësisë Ligjore, thotë se shumë shpesh kërkohet ekspertizë mjekoligjore. Ato përdoren më pas për të zvarritur gjykimet. Superekspertiza kërkohet kur ka rezultate të ndryshme nga ekspertizat e mëparshme.

“Kjo ndodh shumë shpesh me qëllim dhe në bazë të asnjë dëshmie bëhen ekspertiza, vetëm për të qenë në kundërshtim me ekspertizat e dhëna nga Instituti, që të mund të bëhen superekspertiza. Sipas ekspertizës sonë, përkeqësimi i gjendjes shëndetësore ka ardhur vetëm nga veprimet e ekipit shëndetësor në spitalin e Strugës”, u shpreh Aleksandar Stankov-drejtor i Mjekësisë Ligjore.

I pandehuri i parë në këtë rast është gjinekologu nga Struga, Muhamed Asani, e më pas djali i tij Blerton Asani. E akuzuara e tretë është mjekja Liljana Jovanoska. Ata akuzohen për shkaktim të veprave të rënda kundër shëndetit të njerëzve. Doktor Asani u deklarua i pafajshëm./Alsat/

Exit mobile version