Site icon Telegrafi

Procesi i Berlinit dhe integrimi në BE, Bushati: Një mundësi e artë për vendet e Ballkanit

Në Shqipëri, nesër pritet të mbahet takimi i nivelit të lartë i Procesit të Berlinit, ku do të marrin pjesë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit perëndimor, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe përfaqësues të lartë të Bashkimit europian. Presidenti francez Emmanuel Macron ka shtyrë me disa orë mbërritjen në Shqipëri për shkak të një sulmi ekstremist ku u vra një mësues dhe situatës në Lindjen e Mesme. Ai nuk do të mund të marrë pjesë në takim por do të vazhdojë me planin për vizitë zyrtare në Shqipëri. 

Ish ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati thotë se pas agresionit rus në Ukrainë zgjerimi BE-së me vendet e rajonit është ngjitur në përparësitë e agjendës së Brukselit, dhe “vendet e Ballkanit nuk do të duhet ta shpërdorojnë këtë mundësi të artë”.

Në një bisedë me Zërin e Amerikës, Bushati analizon ecurinë e Procesit të Berlinit dhe pritshmëritë nga ky proces dhe ai i integrimit europian.

Procesi i Berlinit lindi në vitin 2014, si një nismë e kancelares gjermane Angela Merkel. Më pas këtij procesi iu bashkangjitën dhe vende të tjera. Megjithatë ai ka patur ulje-ngritjet e veta. Ju si do ta vlerësonit ecurinë e tij deri tani?

Ditmir Bushati: Së pari Procesi i Berlinit u inicua nga Gjermania dhe kancelarja Merkel, në kushtet kur procesi i Zgjerimit kishte humbur magnetin e tij si transformues dhe demokratizues për vendet e rajonit, dhe në kushtet kur vetë presidenti i Komisionit europian Jean-Claude Juncker, deklaroi se nuk do të kishte Zgjerim për 5 vitet e ardhshme. Pra, në një lloj mënyrë ishte si një ilaç antidepresiv për të gjitha vendet e rajonit. Por që në nisje nuk u konsiderua në asnjë moment si zëvendësues apo si alternativë ndaj procesit të anëtarësimit në BE.

Mendoj se tre janë aspektet kryesore. Së pari në planin politik krijoi një barazi në të drejtat dhe detyrimet mes të gjitha palëve pjesmarrëse. Pra qoftë dhe Kosova e Serbia u ulën me flamujt respektiv të tyre, pra duke respektuar, le të themi, realitetet në rajon, duke krijuar një platformë më të gjerë komunikimi dhe bashkëveprimi, në kushtet kur ishte arritur dhe marrëveshja në Bruksel në vitin 2003.

Së dyti në planin ekonomik, përmes Procesit të Berlinit ne kemi disa zhvillime pozitive, qoftë me Zonën e përbashkët ekonomike, apo me Tregun e përbashkët rajonal, dhe me disa përpjekje shumë pozitive që u bënë nga të gjitha vendet, për krijimin e këtij lloj tregu në rajon, si parapritë ndaj anëtarësimit në Tregun e përbashkët të BE.

Së treti në planin shoqëror, kemi dy nisma shumë të rëndësishme, të cilat synojnë afrimin e qytetarëve të vendeve të rajonit, më shumë me njëri tjetrin dhe zbutjen e të gjitha paragjyimeve.

Natyrisht kur e shohim 9 vite më pas, pritshmëritë nuk janë përmbushur plotësisht, sepse ka shumë çështje dhe sfida që do të duhet të adresohen duke nisur nga nevoja për një ndërlidhje më të mirë të këtij Procesi me agjendën e anëtarësimit në BE, fuqizimin e demokracisë dhe një zbutje të hendekut zhvillimor, mes vendeve tona dhe vendeve më të varfra të Bashkimit europian.

Duke u ndalur te kjo që ju sapo thatë. Edhe një analizë tuajën mbi këtë proces dhe mbi sfidat e integrimit në BE të rajonit, keni vënë në dukje këtë fakt, se zhvillimi ekonomik mes vendeve të BE-së dhe atyre të Ballkanit perëndimor ka diferenca të thella, se hendeku mes tyre është bërë edhe më i madh. Megjithatë, para 2 vjetësh, në mos gabohem, Komisioni europian paraqiti Planin e investimeve në rajon, një plan disa miliarda eurosh për Ballkanin. Ndërkohë që nesër është paralajmëruar se zonja Von der Lyene do të prezantojë atë që quhet Plani i rritjes. Çfarë duhet të presim realisht?

Ditmir Bushati: Së pari duhet të ketë një ndërlidhje mes komponentit që ka të bëjë me demokracinë e Shtetin e së drejtës, dhe zhvillimit ekonomik. Nuk mund të ketë demokraci pa zhvillim ekonomik dhe nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik pa një fuqizim të demokracisë. Në këtë pikëpamje, përfshirja e vendeve të rajonit në monitorimin vjetor që BE bën për veten e saj, sa i përket sundimit të së drejtës është një hap inkurajues.

Sikundër një ndërthurje më e mirë mes objektivave të BE-së sa i përket tranzicionit drejt ekonomisë së gjelbër dhe ekonomisë qarkulluese, me objektivat që kanë vendet e rajonit, për të cilat ato kanë marrë angazhime që në samitin e Sofjes në 2020, mendoj se do të ishte gjithashtu një lajm mjaft pozitiv. Pse them një ndërlidhje më të mirë? Sepse në rast se në sensin europian, sfida kryesore është tranzicioni, pra nga industritë e mëdha, sfidat për reduktimin e djegieve të dioksidit të karbonit e kështu me radhë, në vendet tona kemi sfida që kanë lidhje me menaxhimin e mbetjeve, me ujin e pijshëm, sfida që kanë të bëjnë me mbrojtjen e lumenjve, e të pasurive natyrore. Duket sikur flasim për dy planete të ndryshme dhe jo për të njejtin planet.

Pra, e gjithë sfida e tranzicionit të gjelbër, në rastin e vendeve të rajonit, duhet të motivohet nga koncepti i zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm që ka për referencë shtetin e së drejtës.

Në këtë kontekst, procesi i integrimit europian, duhet t’i ofrojë mundësi vendeve tona për të zbutur hendekun zhvillimor, që do të thotë, akses te fondet e para-aderimit, në një kohë më të hershme se sa procesi i anëtarësimit, që do të thotë një integrim gradual në tregun e brendshëm, një aderim në rregullat e lojës të BE-së edhe përpara procesit të anëtarësimit, por me kushtin që ne do të duhet t’i kryejmë reformat me përpikmëri, sepse është kollaj të kërkosh paratë e taksapaguesve europianë, por duhet të dëshmosh dhe saktësi e ndershmëri në mënyrën se si i thith dhe i shfrytëzon këto para.

20 vjet nga Samiti i Selanikut dhe gati 10 vjet nga Procesi i Berlinit, vendet e rajonit kanë bërë hapa përpara me reformat. Por, siç vini në dukje në analizën tuaj, të cilës ju referova dhe pak me parë, duke cituar organizmat ndërkombëtarë dhe vlerësimeve të tyre, demokracia në rajon ka ardhur duke u bjerrur. Përse ndodh kështu? Procesi i integrimit nuk po arrin dot të jap rezultate konkrete, të pritshme?

Ditmir Bushati: Për fat të keq demokracia është në bjerrje kudo në Europë, dhe përgjithësisht kudo në botë. Kjo projektohet shumë dhe në Europën Juglindore në kushtet kur ne nuk kemi një traditë të konsoliiduar të shtetndërtimit demokratik. Me përjashtime të vogla, gjatë viteve të fundit, Ballkani perëndimor, është pjesë e këtij fenomeni. Do të shtoja gjithashtu dhe gjakderdhjen njerëzore, siç e quaj, në një kuptim deri diku dramatik, valën e ikjeve të njerëzve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, drejt vendeve të Europës Veriore, të dy këto elementë, dëshmojnë se nuk kemi një raport të drejt mes procesit të integrimit europian dhe reformave. Sepse procesi i integrimit europian ka si pikësynim, ndërtimin e Europës, pikërisht këtu, në shtëpi, pra në të gjithë rajonin. Dhe së dyti në procesin e integrimit europian, ka më shumë rëndësi procesi se sa thjesht anëtarësimi, pra transformimi i shoqërive, institucioneve, mënyrës së jetesës, dhe duket se në këtë pikë, nuk është gjetur ende ilaçi i duhur. Le të mos harrojmë se vendi i fundit që ka mbyllur një kapitull negocimi me BE-në, është Mali i Zi, në 2017. Nga 2017 në 2033, ka 6 vite që praktikisht nuk ndodh asgjë, në raportet e rajonit me vendet e BE-së. Ndërkohë që, procesi I negocimit, i vendeve që sot janë në BE, e gjithë paketa e negocimit, nuk ka zgjatur më shumë se 6 vjet. Pra diferencat janë krejt të qarta

Lufta në Ukrainë, nga njëra anë ka sjellë një vëmendje të shtuar të BE-së ndaj Ballkanit. Megjithatë duket se nuk ka një perspektivë të qartë. Pak vite më parë Franca propozoi një metodologji të re për fazën e bisedimeve, tani po flitet për një ndryshim në strukturën e vetë BE-së, një Europë me disa rrathë. Presidenti i Këshillit europian Charles Michel, ofroi vitin 2030 si një datë të mundshme anëtarësimi për vendet e rajonit…

Ditmir Bushati: Eshtë e vërtetë se para disa vitesh, Franca dhe Presidenti Macron ishin skeptikë ndaj idesë së zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Eshtë po aq e vërtetë se presidenti francez e konsideronte Nato-n, si një organizëm të vdekur, me tru të vdekur. Por Vladimir Putini, duket se e zgjoi Europën nga gjumi, apo nga zona e rehatisë dhe tanimë zgjerimi i BE-së është ngjitur me përparësi në agjendën e vetë BE-së.

Dhe këtu ka dy komponentë për ta bërë këtë proces realitet. Së pari janë përpjekjet që duhet të bëjë vetë BE-ja, me atë që ju referuat, me rrathët koncentik, sepse një BE me 36 shtete anëtare është më e vështirë për t’u menaxhuar se sa me 27 vende anëtare. Pra nevoja për reforma, në një mënyrë apo një tjetër, është e pashmangshme dhe vetë BE-ja, sidomos dyshja franko-gjermane ka marrë masa në këtë drejtim, me disa propozime konkrete. Nga ana tjetër janë vendet e rajonit. Me të vërtetë gjeopolitika, duket sikur e mbështet tanimë zgjerimin dhe konsolidimin e projektit europian, por nuk duhet të harrojmë detyrat e shtëpisë, nuk duhet të harrojmë që në finale do të kemi një kombinim mes komponentit gjeopolitik dhe stadit të reformave. Nëse do ta krahasojmë situatën sot me atë të para një viti, dy apo katër, mendoj se vendet e rajonit kanë një mundësi të artë që nuk duhet ta shpërdorojnë, qoftë përsa i përket instrumenteve që po ofron BE, ju përmendet Planin e rritjes, tranzicionin ekologjik, tranzicionin drejt një ekonomie më digjitale, hapjen e Kolegjit të Europës në Shqipëri, pra kampusi I tretë në europë, mendoj se janë të gjitha mesazhet se vendet e Ballkanit perëndimor do të duhet të integrohen gradualisht, në mënyrë që t’i paraprijnë datës së anëtarësimit. Data është shumë e rëndësishme se është motivuese dhe është e rëndësishme që të mbahet, në mënyrë që të mos shkaktojë cinizëm dhe pakënaqësi.

Nën dritën e gjithë këtyre zhvillimeve, sa janë shanset sipas jush që Shqipëria të marrë një vendim pozitiv nga BE-ja në fund të këtij viti, për nisjen konkete të bisedimeve. Pra që ajo të ulët konkretisht në tryezën e bisedimeve, në hapjen dhe diskutimin e kapitujve të parë?

Ditmir Bushati: Mendoj se Shqipëria është e gatshme për të nisur diskutimet e grup-kapitujve, sepse ne kemi që nga viti 2019, ose fundin e 2018 që ne merremi me procesin e “screening”, pra me shqyrtimin analitik të legjislacionit dhe standarteve të BE-së, me pasqyrën apo skanerin se ku jemi ne në raport me këto angazhime. Shpresoj shumë të ketë një vendimmarrje nga ana e BE-së në mënyrë që ky proces, të ecë në rrjedhën e tij e ne më pas të kemi mundësinë për të parë se ku jemi e të mobilizojmë sa më shumë forca që të ecim përpara.

Dhe një pyetje të fundit. Si procesi i integrimit europian, ashtu dhe vetë Procesi i Berlinit një ndër shtyllat kryesore, kanë bashkëpunimin mes vendeve të rajonit, pajtimin mes tyre. Megjithatë vetëm pak javë më parë pamë se si një vend kandidat për anëtarësim sulmon fqinjin e vet, dhe i referohem sulmit të armatosur në Veri të Kosovës, nga ana e njësive serbe. Në këtë kontekst, sa do të mund të ndikojë kjo situatë në ecurinë e Procesit të Berlinit, apo dhe takimin e nesërm, sepse kujtoj, pak ditë më parë, në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve të përfshira në Procesin e Berlinit, kjo situatë tensioni atje ishte në fokus dhe la disi në hije temat e tjera të diskutimit…

Ditmir Bushati: Është shumë e rëndësishme që BE-ja të ketë një qasje unike përsa i përket përfundimit të këtij konflikti që ju sapo përmendët. Dhe këtu dua të kujtoj qasjen që BE-ja adopotoi në rastin e Malit të zi. Ishte një qasje unike ku Malit të Zi ju vendosën disa kritere për referendumin dhe njohjen e pavarësisë nga federata.

Në rastin e Kosovës, për shkak të 5 vendeve që nuk e njohin ende Kosovën si shtet, BE-ja është në një lloj situate ngerçi dhe gjithnjë është në përgjigje të krizave se sa t’i paraprijë zhvillimeve përcaktuese për mbylljen e këtij konflikti. Por mendoj se është testi lakmues përsa i përket pozicionimit të BE-së, si një aktor gjeopolitik në skakierën ndërkombëtare. Pse e them këtë, sepse nëse BE-ja nuk është në gjendje të mbyllë konfliktet e trashëguara nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, të përmbyllë të gjitha projektet e shtetësisë, të bëjë që shtete si Serbia të jenë normale, demokratike dhe europiane, që të njohin pasojat dhe realitetet e pasluftës në ish Jugosllavi, do ta ketë të pamundur për të përballuar agresionin rus në lindje të kontinentit.

Uroj shumë që qasja, le të bëjmë fillimisht biznes, apo të lidhemi përmes fijeve ekonomike, siç u adoptua për dekada me Rusinë e Vladimir Putinit, dhe më pas ekonomia të na çojë drejt zgjidhjeve politike, tanimë, të kthehet në politikën që konsiderohet me efektive, pra le të zgjidhim një herë e mirë çështjet e karakterit politik dhe më pas të vazhdojmë rrugën drejt anëtarësimit në BE./VOA/

Exit mobile version