Telegrafi

Procedurë gjyqësore kundër gjykatësit Ivan Xholev

Gjykatësi Ivan Xholev ngriti kallëzim penal kundër Jordan Llazarovit, kryetarit të Komisionit që jep propozime nëse një gjykatës duhet të shkarkohet. Me këtë pretendon se Llazarov e ka keqpërdorur pozitën për ta dëmtuar atë. Bëhet fjalë për aktivizimin e një parashtrese madje tre vjet të vjetër të Komisionit Antikorrupsion për veprim joprofesional të Xholevit. Si pasojë Xholev rrezikon të eliminohet nga gara për kryetar të Gjykatës Penale në Shkup, njofton Alsat-M.

“Ne besojmë se është shkelur në mënyrë flagrante ligji për Këshillin që përcakton faktet për përgjegjësi të gjykatësve, duke mos respektuar afatin e ngritjes së procedurës. Për këto arsye vlerësojmë se bëhet me qëllim, për të mos thënë me keqdashje” – deklaroi Stevan Pavleski, avokat i Ivan Xholev.

Parashtresa nga antikorrupsioni kundër Xholevit është dorëzuar në Këshill në vitin 2014.

Gjykatësit Ivan Xholev dhe Vlladimir Pançevski para Vitit të Ri shkëmbyen akuza të ndërsjella, ndërsa të dy janë në lojë për postin e kreut të ri të Gjykatës Penale në Shkup./Telegrafi/