Site icon Telegrafi

Problemi i ujit në Prishtinë zgjidhet në fund të vitit

Përfaqësues të Bankës Gjermane për Zhvillim KFW vizituan për tre ditë radhazi Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal ”Prishtina”, duke u fokusuar në infrastrukturën e rrjetit të ujësjellësit, përfshirë fazën e dytë dhe të tretë të investimeve në fabrikën e përpunimit të ujit në Shkabaj.

Ata u njoftuan me mbarëvajtjen e progresit të punimeve të të dyja fazave të investimeve. Kryeshefi ekzekutiv i KUR ”Prishtina”, Gjelosh Vataj falënderoi edhe njëherë të gjithë donatorët për investimet e tyre në Republikën e Kosovës me theks të veçantë në sektorin e ujit në përgjithësi.

Ai potencoi edhe njëherë se projekti ”Shkabaj” është një nga investimet më të mëdha në furnizimin me ujë të pijshëm që nga themelimi i KUR ”Prishtina”, dhe se është një projekt vendimtar jo vetëm për kryeqytetin por për gjithë vendin.

Me realizimin e këtyre fazave të investimeve, që janë planifikuar të përfundojnë deri në fund të vitit 2016, do të zgjidhet problemi i furnizimit me ujë të pijshëm për Prishtinën dhe 7 komunat e tjera, do të ketë përmirësime të dukshme në largimin e ujërave të zeza dhe do të investohet në mbrojtjen efektive të burimeve nga ndotjet.

Përgjatë vizitës së tyre, përfaqësuesit e Bankës Gjermane për Zhvillim u ndanë të kënaqur me dinamikën e punimeve në fabrikën e përpunimit të ujit ”Shkabaj”.

Qeveria Gjermane, përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KFË) dhe Komisionit Evropian është e involvuar në procesin e investimit në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal ”Prishtina”, në tre faza të projekteve, siç janë faza e I-rë e investimeve, në vlerë prej 8 milionë euro donacion nga Komisioni Evropian, e që ka përfunduar në kohë, përfshinë rehabilitimin e rrjetit primar dhe sekondar të ujit të pijshëm, rehabilitimin e Fabrikës së përpunimit të ujit- Badoc (rezervuari), ndërtimin e stacionit të pompave në Kodra e Trimave –Prishtinë, pastrim të kolektorëve të ujërave të zeza, ndërrimi i 20.000 ujëmatësve dhe 1.500 kyçjeve shtëpiake, hartimin e planit për resurse ujore dhe zonat mbrojtëse për liqenin e Batllavës dhe Badocit, hartimin e planit investiv ( long term investments), ndrrimi i gypit magjistral nga çeliku në polietilen /Kodra 1-Kodra 2, ndërrimi i gypit Velani deri në Lagjen e Muhaxhirëve në Prishtinë (faza I).

Faza e II-tëe investimeve , në vlerë prej 17 milonë euro, kombinim ( 11 milion euro grant nga Komisioni Evropian dhe 6 milion euro kredi e butë ) si vazhdimësi e fazës së I-rë të investimeve, përfshinë rehabilitimin e rrjetit primar, sekondar dhe terciar të rrjetit të ujit të pijshëm, rehabilitimin e kolektorëve kryesorë dhe sekondar të ujërave të zeza, rehabilitimin e Fabrikës së përpunimit të ujit në Badoc dhe marrjes së ujit nga penda e Badocit( filtrat), mbrojtja e burimeve të ujit në liqenin e Batllavës dhe Badocit.

“Në këtë fazë që ka filluar së implementuari në teren më 7 prill 2014 dhe pritet të përfundojë si projekt në tërësi në fund të këtij viti ka filluar ndërrimi i komplet rrjetit të ujësjellësit në : Lagjet: Bregu i Di ellit, Aktash, Dodona, Lagjja e Muhaxhirëve në Prishtinë si dhe rrjeti i ujësjellësit në qytetin e Fushë Kosovës. Faza e III-të e investimeve përfshinë investimin në Fabrikën e re të ujit të pijshëm në Shkabaj në vlerë prej 35 milion euro. Ky projekt do i rrisë sasitë e ujit, ku faza e parë do jetë700 l/s me mundësi të rritjes së kapaciteteve edhe me 500 l/s të tjera. Financues të projektit janë: Komuna e Prishtinës me 5 milionë euro, Komisioni Evropian me 5 milionë euro, Qeveria e Republikës së Kosovës me 5 milion euro dhe 20 milionë KUR ”Prishtina”, i ka marrë kredi nga Banka Gjermane për Zhvillim me ç’rast, garantuese e kthimit të saj është Qeveria e Republikës së Kosovës. Projekti përmban këto komponente: Ndërtimi i Fabrikës së re të ujit në Shkabaj dhe ndërtimi i rrjetit të ri dhe stacionit të pompimit, që mundësojnë kyçjen e fabrikës së re të ujit në kanalin e Ibrit dhe në rrjetin tjetër ekzistues. Punimet në këtë fabrikë janë duke u zhvilluar me një dinamikë të madhe”, thuhet në një komunikatë të KUR “Prishtina”. /Telegrafi/

Exit mobile version