Nga: Paul Valery
Përktheu: Alket Çani
Muzetë nuk i pëlqej shumë. Shumë prej tyre janë të admirueshëm, por i këndshëm nuk është asnjë. Idetë e klasifikimit, të ruajtjes dhe të dobisë publike, që janë të drejta e të qarta, nuk kanë shumë lidhje me kënaqësitë.
Në hapin e parë që bëj drejt gjërave të bukura, një dorë më heq bastunin, një tabelë më ndalon të tymos.
I ngurosur tashmë nga gjesti autoritar dhe ndjenja e detyrimit, depërtoj në një sallë skulpturash ku mbretëron një konfuzion i ftohtë. Një bust i shkëlqyeshëm shfaqet midis këmbëve të një atleti të bronztë. Qetësia dhe furitë, buzëqeshjet, ngërdheshjet, ekuilibrat më kritikë më krijojnë një përshtypje të padurueshme. Ndodhem në një rrëmujë krijesash të ngurtësuara, ku secila kërkon, pa arritur ta fitojë, mosekzistencën e gjithë të tjerave. Dhe nuk po flas, pastaj, për kaosin e gjithë atyre madhështive të përmasave të ndryshme, për përzierjen e pashpjegueshme të xhuxhëve me gjigandët, dhe as për atë përmbledhje të evolucionit që na ofron një tubim i tillë qeniesh të përsosura e të papërfunduara, të gjymtuara e të restauruara, përbindshash dhe zotërinjsh…
Me shpirtin e gatshëm ndaj çdo mundimi, përparoj drejt pikturave. Para meje shtjellohet në heshtje një çrregullsi e çuditshme dhe e organizuar. Më kap një tmerr i shenjtëruar. Hapi më bëhet i devotshëm. Zëri më ndryshon dhe bëhet pak më i lartë se në kishë, por më pak i fortë nga ç’tingëllon në jetën e përditshme. Pas pak, nuk di më ç’m’u desh që erdha në këto vetmi të shkëlqyeshme, që kanë të bëjnë me tempullin dhe sallonet, me varrezat dhe shkollën… Mos erdha vallë të nxë, të kërkoj të ngazëllehem, apo të përmbush një detyrë sa për sy e faqe? Apo mos është ndonjë ushtrim i një lloji të veçantë kjo shëtitje e penguar habitshëm nga bukuritë dhe e shmangur çdo çast nga ato kryevepra në të majtë e në të djathtë, midis të cilave duhet të sillesh si i dehuri mes tryezave?
Trishtimi, mërzia, admirimi, koha e bukur që bën jashtë, qortimet e ndërgjegjes, ndjesia e tmerrshme e numrit të madh të artistëve të mëdhenj ecin së bashku me mua.
E ndiej se bëhem tmerrësisht i sinqertë. Ç’lodhje, i them vetes, ç’barbari! E gjitha kjo është jonjerëzore. E gjitha kjo nuk është aspak e dëlirë. Është një paradoks ky afrim mrekullish të pavarura por të kundërta, e madje që sa më tepër ngjasojnë, aq më armike janë me njëra-tjetrën.
Vetëm një qytetërim as epshndjellës, as i arsyeshëm mund të ketë ndërtuar këtë shtëpi të inkoherencës. Nuk di çfarë gjëje e pakuptimtë del nga kjo fqinjësi pamjesh të vdekura. Ato xhelozohen dhe grinden me sho-shoqen për vështrimin që u sjell ekzistencën. Ato thërrasin nga çdo anë vëmendjen time të pandashme; tronditin pikën nevralgjike që tërheq gjithë mekanizmin e trupit drejt asaj që e josh…
Veshi nuk do të duronte dot të dëgjonte dhjetë orkestra në të njëjtën kohë. Mendja nuk mundet as të ndjekë, as të drejtojë disa operacione të ndryshme dhe nuk mund të bëjë disa arsyetime të njëkohshme. Por syri, në çastin e hapjes dhe të perceptimit, detyrohet të pranojë një portret dhe një tablo detare, një kuzhinë dhe një triumf, personazhe në gjendje dhe përmasa nga më të ndryshmet; e, për më tepër, duhet të thithë, me një vështrim, harmoni dhe mënyra të pikturuari të pakrahasueshme mes tyre.
Sikundër shqisa e të parit dhunohet nga ky abuzim i hapësirës që përbën një koleksion, edhe inteligjenca sulmohet po aq nga një grumbullim i ngjeshur veprash të rëndësishme. Sa më të bukura të jenë këto vepra, sa më i jashtëzakonshëm të jetë efekti i ambicies njerëzore, aq më tepër duhet të jenë të veçuara. Ato janë objekte të rralla, autorët e të cilave do të donin që të ishin të vetme. Kjo tablo, thonë nganjëherë, i vret të gjitha të tjerat përreth…
Besoj se as Egjipti, as Kina, as Greqia, që qenë të ditur e të rafinuar, nuk e kanë njohur këtë sistem të ndërvendosjes së produkteve që përpijnë njëri-tjetrin. Ato nuk rreshtonin, me numra amzash dhe sipas parimesh abstraktë, njësi kënaqësish të kundërta.
Por, trashëgimia jonë është shtypëse. Njeriu modern, duke qenë se është rraskapitur nga pafundësia e mjeteve të tij teknike, është varfëruar nga vetë tepria e pasurive të tij. Mekanizmi i dhuratave dhe trashëgimive, vazhdimësia e prodhimit dhe e blerjeve, – si dhe shkaku i rritjes që lidhet me ndryshimet e modës dhe të shijes, me rikthimin drejt veprave që ishin shpërfillur, ndihmojnë pa u ndalur në grumbullimin e një kapitali të pamasë e, për rrjedhojë, të papërdorshëm.
Muzeu ushtron një joshje të vazhdueshme mbi gjithçka që bëjnë njerëzit. Njeriu që krijon, njeriu që vdes, e ushqejnë muzeun. Gjithçka përfundon mbi mur ose në vitrinë… Në mënyrë të pashmangshme më shkon mendja te një bankë lojrash që del e fituar në çdo hedhje zaresh.
Por mundësia për të përdorur këto burime gjithmonë e më të mëdha është fort larg së rrituri së bashku me to. Thesarët tanë na dërrmojnë dhe na shastisin. Nevoja për t’i përqendruar në një vend ua shumëfishon efektin shtangës e të trishtë. Sado i madh të jetë pallati, sado i përshtatshëm, sado i mirorganizuar të jetë, ne gjendemi gjithmonë pak të humbur e të dëshpëruar nëpër galeritë e tij, të vetëm përballë kaq shumë arti. Prodhimi i atyre mijëra orësh që kaq e kaq mjeshtra kanë harxhuar për të vizatuar dhe pikturuar vepron mbi shqisat dhe mendjen tonë vetëm për disa çaste; dhe këto orë ishin orë të ngarkuara me vite kërkimesh, eksperimentesh, përqendrimi, gjenie!… Na duhet pashmangshëm të mposhtemi. Ç’të bëjmë? Bëhemi sipërfaqësorë.
Ose bëhemi eruditë. Në fushën e artit, erudicioni është një lloj disfate: ai ndriçon atë që nuk është më delikatja, thellon atë që nuk është thelbësorja. Erudicioni, me hipotezat e tij zëvendëson ndijimet, me kujtesën e vet të mrekullueshme zëvendëson praninë e mrekullisë; dhe i bashkëngjit muzeut të madh një bibliotekë të pafundme. Afërdita e shndërruar në dokument.
Me mendje të prishur, duke m’u marrë këmbët, dal nga ky tempull i këndelljeve më fisnike. Lodhja e skajshme, nganjëherë, shoqërohet nga një aktivitet pothuajse therës i mendjes. Kaosi i mahnitshëm i muzeut më ndjek dhe ndërthuret me lëvizjen gjithë gjallëri të rrugës. Turbullimi im kërkon shkakun e tij. Ai vëren apo krijon nuk di çfarë marrëdhënieje midis asaj mjegullnaje që s’i shqitet dhe gjendjes së trazuar të arteve të kohës sonë.
Jemi dhe lëvizim në të njëjtin marramenth të përzierjes, torturën e së cilës ia veshim artit të së shkuarës.
Befas më shfaqet një dritë e vagëlluar. Një përgjigje përpiqet brenda meje, shkëputet pak nga pak prej përshtypjeve të mia dhe kërkon të shprehet. Piktura dhe Skulptura, më thotë demoni i Shpjegimit, janë fëmijë të braktisur. Nëna e tyre Arkitekturë ka vdekur. Për aq sa kjo jetonte, u caktonte atyre vendin, përdorimin dhe detyrimet. Liria e bredhëritjes u ishte refuzuar. Ato kishin hapësirën, dritën e përcaktuar mirë, subjektet, aleancat e tyre… Kur jetonte Arkitektura, Piktura dhe Skulptura e dinin se ç’donin…
– Lamtumirë, më thotë ky mendim, më mirë të ndalemi këtu.