Telegrafi

Problemi i energjisë në veri mund të provokojë tensione në Kosovë

KEK, ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike të komplet pjesës veriore të Kosovës për shkak të ndërhyrjeve në shpërndarje nga ana e serbëve të kësaj ane pjesë e strukturave paralele të Serbisë.

Mirëpo, pjesa veriore e Kosovës e dominuar nga serbët megjithatë nuk ka mbetur pa energji elektrike. Furnizimi tani po bëhet nga Elektroekonomia e Serbisë.

Nga institucionet e Kosovës kjo cilësohet si ndërhyrje e paligjshme e një shteti fqinjë.

Përfaqësuesit serbë të pjesës veriore të Kosovës thonë se ndërprerja e energjisë nga ana e KEK-ut është bërë për arsye politike, mirëpo, zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, hedhë poshtë këto pohime.

"Kemi nje rënje të dhunshme të rrjetit për shkak të mbingarkesave, sepse operatorët në veri të Kosovës nuk kanë respektuar urdhëresat e KEK-ut se si të bëhet shpërndarja e energjisë elektrike", ka deklaruar Buzhala.

Menjëherë pas ndërprerjes së energjisë elektrike të pjesës veriore nga ana e KEK-ut, Elektroekonomia e Serbisë filloi furnizimin me energji të kësaj pjese. Korporata serbe që nga përfundimi i luftës vazhdon të mbajë në punë edhe në Kosovë punonjësit e saj, ndërsa, qytetarët serbë të kësaj pjesë prej dhjetë vjetësh nuk paguajnë enegjinë elektrike, edhe pse deri tani ata janë furnizuar me energji nga KEK-së.

Drejtori i elektroekonomisë së Serbisë për Kosovën, Radoje Kreckoviq, thotë se serbët do të fillojnë t’i paguajnë faturat për energjinë e shpenzuar së shpejti, por jo KEK-ut.

"Banorët serbë të pjesës veriore të Kosovës do të paguajnë energjinë elektrike.Dhe që të jem më i saktë, do t’ia paguajnë Elektro-ekonomisë së Serbisë", thotë Kreckoviq.

Mirëpo, zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, thotë se Elektroekonomia e Serbisë nuk ka të drejtë të faturojë shpenzimin e enegjisë elektrike në Kosovë.

"KEK-u është i vetmi operator për furnizimin me energji elektrike në Kosovës. Çdo veprim tjetër është ilegal".

Buzhala thekson më tej se KEK-u tashmë po mbledhë informacione, nëse ka pasur ndërhyrje të qëllimshme nga ana e Elektroekonomisë së Serbisë në rrjetin elektrik të pjesës veriore të Kosovës që për pasojë shkaktoi avarinë e ditëve më parë. /dw/