Site icon Telegrafi

Problemet tona me historinë

Pse kemi shumë probleme për të bërë një tekst të mirë e të pranueshëm të historisë për nxënës të shkollave dhe për student të të gjitha niveleve?

Gjëja më e keqe që ndodhi në këtë fushë me rëndësi është modeli serb i gënjeshtrës së shkrimit të teksteve shkollore të historisë, të cilin e përvetësuan jo pak historian tanë.

Sot, në kohën e internetit, shkencëtarët e mirëfilltë të kësaj fushe, veçanërisht brezi i ri të cilët duhet të njohin mirë ndonjë gjuhë të huaj, kanë mundësi të pakufizuara të shkruajnë të vërtetën.

Gjëja më e lehtë dhe më korrekte është shkrimi real.

Shqiptarët nuk kanë pse të lavdërohen as të turpërohen nga historia e tyre. Madje, duke ditur mirë gënjeshtrën serbe, tash duhet të kemi për bazë vetëm të vërtetën dhe nuk kemi arsye ta shtrembërojmë.

Historianët më eminentë të kohës bashkëkohore të Evropës, edhe ata amerikanë, na ofruan model të duhur mësimi e shkrimi, pikërisht të Historisë sonë kombëtare, si Noel Malkolm apo edhe Oliver Shmit.

Po të futemi në thellësi të problemit. Sot mundësia për të studiuar një fushë të caktuar shkencore është e madhe dhe jashtëzakonshme, kur mund të kesh qasje në miliona dokumente të të gjitha kohërave dhe epokave (të thuash lirisht që nga fillimi i shfaqjes së shkrimit).

Kur flasim për historinë tonë është parë praktikisht se asnjëherë nuk është marrë parasysh pikësëpari historia e alfabetit të shkruar shqip, e pastaj edhe dokumentet e para të shkruara të shqipes. Janë tri dokumentet e para të shkruara të gjuhës shqipe që numërojmë sot e gjithë ditën, që janë mësuar qëkur ka filluar punën shkolla e parë shqipe: fjalori i kalorësit gjerman të kohës Arnold Von Arfi (1497); Formula e Pagëzimit (1462) dhe ”Perikopeja Ungjillit të Pashkës”(titulli origjinal), fundi i shekulli XV-apo fillimi i shekullit XVI (data e përmendur me ketë rast ka realisht një mungesë shkencore e cila mund të përfshijë hiq më pak se dyqind vjet para apo mbrapa); duke ia shtuar jo fort shpejt Mesharin e Buzukut në vitin 1555.

Gjuha në të cilën janë shkruar këto dokumente, kur lexohet sot, duhet ta pranojmë se mund të zbërthehet vetëm nga studiues të mirëfilltë dhe kurrë nga një lexues apo student i rëndomtë.

Sa kemi punuar të kemi alfabetin tonë, shkronjat tona dhe pastaj të shkruajmë edhe historinë tonë me gjuhën dha alfabetin tonë, kjo del temë mbi tema. Gjithmonë, në çdo shekull, dekad, vit apo ditë janë zhvilluar ngjarje me rëndësi historike të cilat i kanë parë së paku një apo edhe me mijëra dëshmitarë.

A kishim njerëz të shkolluar, njerëz që dinë të shkruajnë? Çfarë profesionesh kishin ata? Çka dhe për kënd punonin. Apo, më thjeshtë, për cilin pushtues punonin. Dihet mirë që edhe ata dijetarë shqiptarë të periudhave të caktuara, edhe nëse shkruanin ndonjë dokument, e bënë më së shumti, apo më së paku, në gjuhen e pushtuesit. Po ku mbeten ato dokumente, ku u ruajtën ato? Nuk u ruajtën fare, apo i asgjësoi pushtuesi si të rrezikshme, apo të pavlera për të?

Po të merresh seriozisht me historinë del të jetë një punë jo e lehtë, gati e pa realizueshme dhe e pabesueshme.

Fati i popullit shqiptar del të jetë tepër i rëndë kur kemi parasysh shtrirjen tonë territoriale dhe bashkëjetesën me grekun dhe serbin, të cilët, bashkëvepruan me platformë konkrete për zhdukjen definitive të gjuhës dhe të popullit shqiptar.

Pushtimi osman, sot vazhdon të mbetet një temë, apo pretendohet të behet temë ditore në fushën e historisë?

Nuk është fort zor sot të shohësh dokumente origjinale të kohës për shumë fusha të rëndësishme të historisë. Por, nëse vendos të merresh me studimin e kësaj fushe, duhet mbetur korrekt dhe i mbështetur në ato dokumente, që në instancë të fundit janë shkruar në gjuhën e pushtuesit dhe sipas vlerësimit të tij të ngjarjeve.

Historia e alfabetit shqip, fal Zotit dhe pajtimit të atyre gjenive shqiptarë të kohës, të cilët fe e atdhe kishin vetëm shqiptarinë dhe Shqipërinë e lirë, u arrit me 1908 në Manastir, qytet krejt shqiptar ky, tash i Maqedonisë dhe gati pa shqiptarë. Shtëpia e Alfabetit ende qëndron aty dhe shohim se çka bën një pushtues barbar tipik edhe sot, gjithnjë me qëllimin e vetëm që i kishte shtruar vetës Kisha Ortodokse Serbe dhe ajo greke, qysh gjatë kohës së Bizantit.

Ardhja e turqve në Ballkan ndryshoi gradualisht shumëçka ,por edhe konfesionin e shqiptarëve. Kjo temë bëhet fatale më vonë, ngase të gjithë ata shqiptarë që ishin ortodoks regjistroheshin serbë apo grekë dhe gjatë kohës u helenizuan apo serbizuan.

Historia e dokumentuar më shumë se një herë qartëson dukurinë e shëmtuar të bajraktarizmit të pamposhtur i cili përçau vëllazërinë shqiptare deri në shkallen e likuidimit fizik të njeri-tjetrit. Gjakmarrja mori aso përmasash sa një shqiptar ortodoks, nëse ishte në bela me vëllain apo një të afërm, nuk shkonte në të njëjtën kishë. Apo, shqiptari tjetër katolik nuk shkonte në manastirin e njëjtë. Ka dokumente për këtë edhe sot në Shqipëri ku përballë njëra-tjetrës qëndrojnë dy kisha katolike e në të cilat nuk hyjnë asnjëherë të njëjtit vëllezër, pse në shumë raste janë në hasmëri.

Fatkeqësisht kemi parë që shqiptarët edhe pasi u islamizuan, në masë shumë të madhe nuk harruan veset e tyre të hakmarrjes. Kemi parë se edhe sot ekzistojnë plot xhami të ndërtuara, dhjetë apo njëzet metra afër njëra-tjetrës, vetëm sepse njëri imam shqiptar ndodhë që nuk ka kurajë as ta shoh tjetrin – po ashtu imam shqiptar (madje as në të njëjtin rend “saf”).

Edhe sot shihet se gënjeshtrën e kemi mësuar mirë, pastaj i japim vetës të drejtë edhe të flasim shumë herë për tolerancë fetare, duke theksuar se jemi shembull në botë për ketë, dhe realisht, nuk e themi të vërtetën.

Hoqa e Madhe, sot serbe, dikur krejt shqiptare, ka jo më pak se 14 kisha dhe të gjitha në të njëjtin fshat. Mund të pyes dikush se çka nevojiten të gjitha ato kisha (e dikush besa nuk beson këtë shifër, që edhe duket e pabesueshme). I tërë fshati ka qenë i banuar nga shqiptarë ortodoks ë.Të gjitha familjet ishin të mëdha dhe të gjitha në bela me njëra-tjetrën. Kështu, secila familje e madhe ndërtoi kishën e vetë. Meqenëse ata mbeten ortodoksë, me kohë, siç kishte paraparë KOS-i, ata u regjistruan serbë dhe gjuha e kishës ata i serbizoi shumë shpejt. Dhe, jo vetëm ata.

Shumë vonë, me themelimin e alfabetit të gjuhës shqipe, historianë të spikatur nisën studimet e mirëfillta, por si zakonisht ata u njollosen shpejt dhe shumë herë u përjashtuan nga puna, e besa edhe përfunduan shumë herë edhe në burg, apo pa punë – në rrugë.

Profesor Skënder Riza është e do të mbetet i madh siç ishte gjithmonë. Profesorin e nderuar që ka studiuar vetëm fakte të dokumentuara, LKJ dhe komunistet e kohës e patën shpallur të krisur.

Në bisedë e rastit. Teksa bisedoja me një student shqiptar i cili po studionte në Paris, mes tjerash e pyeta!

– A mund të ndodhë që në ndonjë bisedë rasti, një student i një përkatësie tjetër etnike të të pyes se kur është themeluar alfabeti i gjuhës suaj?

-Po. Ka ndodhur.

Ky bashkëbiseduesi im e dinte mirë datën (në Manastir në vitin 1908).

– Mirë. Më trego sinqerisht: a ndiheshe mirë për ketë datë, realisht shumë të vonuar?

– Jo. Madje ndihesha fort keq, duke pasur parasysh gjuhën tonë të cilën e flasim me shekuj.

Studentët e huaj interesohen sinqerisht të mësojnë gjuhën e sotme të shkruar shqipe. Po ata duan ta mësojnë gjuhën standarde, jo dialekte lagjesh apo trevash ku lapsi ka depërtuar vonë. Sot, studenti i huaj kur mëson gjuhën shqipe, pyet për çdo pjesë ligjërate, për kohët, mënyrat, vetat, gjininë rasat… thjeshtë për të gjitha pjesët e ligjëratës e çka jo tjetër.

Nuk u tallën me alfabetin kolosët tanë në Manastir dhe alfabeti u bë, por duhet pranuar paksa me vonesë. Të tallemi sot me gjuhën e shkruar shqipe, siç po shohim (edhe në medie të shumta publike informative) nuk mund të quhet ndryshe përveçse poshtërim i punës së njerëzve më të çmuar të kombit dhe i arritjeve më të mëdha në historinë tonë.

Ky opinion është vetëm një pikë ujë në oqeanin e fakteve shkencore të historisë sonë.

Edhe një diletant mund ta vërtetojë thjeshtë se kisha e Graçanicës, jo vetë që është ndërtuar shumë më vonë mu si përmendorja e Betejës së Kosovës në Gazimestan më 1957), por e tëra është ndërtuar së bashku me rrethojën, nga gurët e gdhendur të qytetit të dikurshëm të Ulpianës.

Çka është edhe më keq, po të bëhej një anketim rasti, jo vetëm me qytetarët e thjeshtë, por edhe me shumë profesorë e historianë, besa edhe me titull “akademiku”, do shihet se as nuk e dinë se ku gjendet Ulpiana ilire.

Ka edhe një dokument (fotografi e bërë nga një serb në vitin 1927) për Ulpianën e pahulumtuar, se aty, mbi tokë, kishte deri në vitin e theksuar shumë kolona graniti, aso çfarë i shohim në Akropolin e sotëm helen në Athinë.
 

Exit mobile version