Në prag të festës ndërkombëtare të 1 majit, festës së punëtorëve në mbarë Globin, nuk mundem të qëndroj duarlidhur e të mos shkruaj dy fjalë për të shprehur mllefin për gjendjen e rëndë sociale të të punësuarve dhe të papunësuarve në Kosovë. Edhe pas rreth 13 vite të përfundimit të Luftës në Kosovë, përkundër përpjekjeve të institucioneve – herë me plane dhe strategji të pasuksesshme, e herë në veprime aty për aty (ad hoc) – përsëri situata sociale mbetët e rëndë, madje ndonjëherë të krijohet përshtypja se sa vijnë e rëndohet.
Gjatë gjithë këtyre viteve, shumë të rinj në mungesë të gjetjes së një perspektive – vendi të punës – kanë zgjedhur emigrimin drejt vendeve të zhvilluara. Aktualisht, edhe përkundër mungesës së të dhënave zyrtare, të gjitha kalkulimet na qojnë në atë se rreth një e treta e popullsisë së Kosovës jetojnë jashtë vendit, ku shumica prej tyre janë të rinj. Ndërkaq, një dukuri që kohë më parë nuk ishte shumë prezentë tek emigrantët kosovarë – ajo e ikjes së trurit (njerëzve të kualifikuar) – kohëve të fundit sikur është më se e theksuar.
Në këto momente pyes vetën se sa më të vërtetë institucionet e qajnë kokën për këtë dukuri? Apo ndoshta është një problem tjetër: ai i grumbullimit të problemeve sociale në shkallë aq të lartë sa që ju ka humbur rruga në oborr – siç thonë në popull – dhe nuk dinë se nga t’ia fillojnë më së pari.
Sektori publik është shndërruar në një vend ku më së shumti gjeneron vende të reja të punës, në vend se të ishte e kundërta, ku më shumë vende pune të krijoheshin nga sektorët tjerë jo publik. Gjithnjë, interesimi për një vend pune në institucionet publike është shumë i lartë. Ky fenomen po ndodhë për disa arsye, ngase të qenit pjesë e punës në institucionet publike – jo pse ke sigurua familjen me të ardhurat mujore që krijon (jo në të gjitha institucionet), por je më i sigurt në punë se gjëkundi.
Në anën tjetër, mundësia për të përfituar profesionalisht është dukshëm më e lartë se në sektorët e tjerë. Por, nuk duhet harruar se edhe në institucionet publike nuk është gjithçka në rregull. Përveç pagave të ulëta, është fenomeni tjetër i theksuar ai i diskriminimit në pagë (jo barazisë), diskriminimit në pozitë – vend pune – e në disa raste edhe ai i imponimeve apo urdhrave që vijnë nga lartë edhe në raste kur profesionalisht nuk qëndron ashtu.
Por, gjithsesi ka edhe arsye të tjera…
Në anën tjetër, të punësuarit në sektori privat rrëfejnë për gjëra nga më të ndryshmet që përjetojnë nga punëdhënësi. Në këtë rast, po i referohemi sektorit të ndërtimit, ku të punësuarit kalojnë me orë të tëra (mbi 8 orë e deri në 12 orë pune) në punë, në raste të shumta me ushqim të pamjaftueshëm, ushqim jo adekuat, veshmbathje jo adekuate, mos kompensimin e mbi normës, përdorimin e teknikave të punës jo të përshtatshme të cilat rrezikojnë jetën e tyre… e shumë vështirësi të kësaj natyre. Të gjitha këto janë evidente dhe për këtë dëshmia më e fortë është ajo që na tregon se për çdo vit kemi humbje jete të punëtorëve nga vendi i punës, si shkaktarë i kushteve të pavolitshme në punë.
Realisht nuk mund t’ua hedhësh krejt fajin institucioneve private dhe tregut të zi, sidomos sektorit të ndërtimit, ngase me të vërtet nuk kanë siguri të mjaftueshme nga institucionet publike – siç kanë të tjerët në vendet e zhvilluara, p.sh; atë të sigurimit të tregut luajal, punëtorëve, infrastrukturën ligjore etj.
Por, problemet nuk përfundojnë me punësimin. Problem tjetër në vete, e që është mjaftë i theksuar dhe shqetësues për tërë shoqërinë kosovare besoj, është ai i papunësisë. Papunësia në vendin tonë sikur ka lëshuar rrënjë dhe është vështirë ta nxjerrësh atë nga faqja e dheut (e që ndonjëherë kjo shoqëri të gëzoj dhe festoj ekonomikisht siç gëzojnë dhe festojnë shoqëritë nga vendet e zhvilluara).
Shkalla e papunësisë në Kosovë sikur është familjarizuar me të dyzetat (mbi 45 për qind të papunë) që më së shumti i prek moshat e reja – e në veçanti gjininë femërore – që arrijnë deri në 60 për qind të të papunësuarve. Të paktën, për diçka Kosova është e para në rajon dhe më Evropë dhe atë me shkallën më të lartë të papunësisë.
Një gjë shumë shqetësuese është se në mesin e ta papunëve ka me mijëra të kualifikuar (me gradën bachelor dhe master) që bredhin poshtë e lartë për të gjetur një vend pune. Po t’i pyesësh të rinjtë e kësaj kategorie qe sa kohë je i/e papunësuar, përgjigjja është: asnjëherë nuk jam punësuar.
Gjithashtu, pyetja pasuese: por, a keni qenë të interesuar , a keni hulumtuar për të gjetur një vend pune – pasohet me dy përgjigje: e para, nuk ka shportë të mbeturinave ku nuk mund të gjesh aplikacionet e mia sa herë që kam aplikuar për punë; dhe përgjigjja e dytë është – nuk kam të njohshëm (farefis dhe shoqëri) që të më ndihmojnë të hyjë në punë (sipas tyre, por e njohur edhe për mbarë opinionin, si mos të kesh dikën të fortë që të të ndihmoj, kot së koti e ke).
Kur i kujtoj të gjitha këto probleme me të cilat përballet shoqëria kosovare, pashmangshëm e pyes veten përse ne duhet të festojmë ditën ndërkombëtare të 1 majit, kur në mbrojtje të punëtorëve janë fare pak ose aspak institucionet publike. Ndërsa, institucioni që më së shumti do të duhej të ngre zërin për të drejtat e punëtorëve – Sindikatat e Punëtorëve – tërë fokusin e tyre e kanë tek grupacionet dhe ndarjet për interesa të ngushta se. Të paktën gjatë tërë vitit që e lamë, por edhe këtij viti, në lajme kryesore nga këto sindikata na kanë ardhur si: u nda sindikata X apo Y dhe ju bashkua dega e sindikatës X apo Y, e kështu me radhë. Por, jo edhe asaj për çka janë të thirrura: mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve siç e bëjnë sindikatat tjera nëpër botë.
Gjithashtu, e pyes vetën pse të festojmë ditën ndërkombëtare të punës, kur rreth gjysma e shoqërisë sonë është e papunë, me varfëri të lartë? Përsëri e pyes vetën pse nuk ndërmorën ndonjë aktivitet sindikatat për të drejtat e punëtorëve? Edhe sa kohë i duhet klasës politike – zgjedhësve të këtij populli – që të ulen të gjithë të mendojnë për këto kategori sociale?
Përfundimisht, po e përmbylli këtë artikull me një thënie: “Durimi i tepruar është budallallëk”!