Site icon Telegrafi

Problemet nga miqësoret, FFK nuk shqetësohet

Feronikeli këtë ndeshje miqësore të zhvilluar në Turqi, ku edhe po i zhvillon përgatitjet, e fitoi me rezultatin 2:1. Por reagimi i Federatës së Futbollit të Gjeorgjisë ishte i ashpër ndaj klubit Zugdidi, jo pse kishte humbur, por pse kishte pranuar të luajë kundër klubit nga Kosova, të cilën Gjeorgjia nuk e njeh si shtet. Reagimi i Federatës së Gjeorgjisë pasoi reagimin e mediave të këtij vendi, shkruan Koha Ditore.

Megjithatë, refuzimi dhe reagimet nga federatat e vendeve që nuk e njohin Kosovën, për ndeshjet me palën kosovare, nuk paraqesin shqetësim për federatën e Futbollit të Kosovës. Në FFK thonë se kjo nuk paraqet pengesë në procesin e pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA, proces që shpresohet të mbyllet këtë vit.

"Nuk mund të na pengojnë në pjesën e votimit. Në rastin e Feronikelit, mendoj se nuk e kanë pasur të qartë se FIFA ia ka lejuar klubeve të Kosovës të luajnë miqësore me klubet evropiane e aq më shumë ndeshje kontrolluese që nuk shihet shumë se kush kundër kujt po luan. Nuk e di pse ka reaguar ashtu Federata e Futbollit të Gjeorgjisë. Por ndoshta ka mungesë të informacionit te ata. Kjo nuk paraqet pengesë në pranimin tonë. Edhe në rastin e Azerbajxhanit nuk ka pasur refuzim, pasi e kanë ditur se edhe ne do të marrim pjesë. Por rezervimi i tyre ka qenë deri në atë datë dhe janë kthyer në vendin e tyre. Sikur të ishte ndeshja e parë kundër nesh, do të luanin, ashtu siç luajti Ukraina dhe Irani që gjithashtu nuk e kanë njohur Kosovën si shtet. Prandaj më shumë bëhen çështjet mediale", ka thënë nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi.

Ndryshe, kërkesa e Kosovës për pranim më 3 maj do të dalë në votim në Kongresin e rregullt të UEFA-s që mbahet në Budapest.

Exit mobile version