Telegrafi

Problemet në rrugë nga reshjet

Ministria e Punëve Publike dhe Transportit bëri të ditur të premten detaje për gjendjen e rrugëve për të gjithë përdoruesit e mjeteve rrugore, si pasojë e reshjeve të shumta të shiut në pjesën Qendrore dhe Veriore të vendit.

"Në aksin rrugor Shkodër – Hani i Hotit, midis komunës Bajzë dhe Doganës, rruga është e bllokuar për mjetet e tonazhit të rëndë. Ka filluar vendosja e tubacioneve metalik për të bërë të mundur kalimin e trafikut. Në Aksi Koplik – Bogë, ura mbi Përroin e Thatë është shembur. Në rrugën Nacionale Shkodër – Lezhe, tek Harku i Berdicës, lartësia e ujit ka arritur 70 centimetra mbi nivelin e rrugës. Qarkullimi është i mundur vetëm për mjetet e larta, mjetet e ulëta qarkullojnë nga rrugët lokale. Në Aksin Qafë Mali – Fierzë, qarkullimi kryhet me një kalim. Në aksin Sopot – Ura e Bujanit, rruga është e bllokuar si pasojë e dëmtimit që ka pësuar shpatulla e urës. Qarkullimi kryhet nga Ura e Valbonës vetëm për mjetet e vogla. Në aksin Qaf Buall – Suc, ka pasur shkarje të skarpatës, aktualisht rruga është e zbllokuar me ndërhyrjen e drejtorisë rajonale të rrugëve. Në Urën e Matit, niveli i ujit është 50 centimetra mbi urë si pasojë e fryrjes së lumit, qarkullimi i mjeteve kryhet me vështirësi në prezencë të forcave të Policisë. Në Aksin Klos – Burrel, si pasojë e reshjeve të shumta, ka sasi te konsiderueshme uji mbi trupin e rrugës, qarkullimi kryhet me vështirësi. Në autostradën Tiranë – Durrës, zona Marikaj dhe Maminas ka prezencë uji në trupin e rrugës, qarkullimi kryet me shpejtësi të kufizuar. Në aksin Fier – Fratar, mbetet problem aktivizimi i shembjeve dhe rrëshqitjeve. Qarkullimi i
mjeteve kryhet me vështirësi, në këtë pjesë të rrugës është vendosur sinjalistika përkatëse", bëri të ditur Ministria.

Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve në bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale të Rrugëve, thanë se janë në gatishmëri të plotë, me mjete dhe staf për normalizimin e situatës të krijuar nga reshjet e fundit. /Telegrafi/