Telegrafi

Problemet me kanalizimin në rrugën C, nga komuna thonë se papërgjegjësia e hudhjes së mbeturinave ka sjellë defektet

Gjatë javës së kaluar disa qytetarë të Prishtinës që banojnë në “Rrugën C”, shfaqen reagimet e tyre në lidhje me gjendjen në të cilën ndodhet rruga.

Sipas banorëve të rrugës C, ka disa javë që ka shpërthyer kanalizimi dhe ka disa muaj që kur janë ndërprerë punimet në këtë pjesë të rrugës, transmeton Telegrafi.

Sa i përket këtij problemi, Irfete Zejneli, nga Drejtoria e Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave në Prishtinë, në një përgjigje për Telegrafin, ka thënë se në atë pjesë të rrugës është punuar vite më parë.

“Pjesa e kanalizimit në “Rrugën C” për të cilin keni shkruar është punuar shumë vite më parë. Para thuajse një viti është punuar një segmet tjetër i kanalzimit afër ketij defekti”, tha ajo.

Ndërsa, sipas Zejnelit deri te defekti ka ardhë për shkak të papërgjegjësisë së hudhjes se mbeturinave.

“Defekti i cili ka ndodhur është shkak i bllokimit të pusetave nga pa-përgjegjësia e hudhjes së mbeturinave dhe palomave të lagura. Ne kemi njoftuar KRU-Prishtinën dhe është duke intervenua për de-bllokimin e tij”, tha ajo./Telegrafi/