Telegrafi

Problemet e Interit kalojnë edhe jashtë fushës, Brozovicit i konfiskohet patentë-shoferi pas ngasjes në gjendje të dehur

Mesfushori i Interit, Marcelo Brozovic ka humbur lejen e vozitjes pasi u kap duke ngarë veturën në gjendje të dehur.

Problemet e Interit kanë kaluar edhe jashtë fushës përveç atyre që tashmë po shihen në fushën e blertë me rezultate negative.

Sipas gazetës Corriere della Sera, policia e ndoqi Brozovicin me veturën e tij Rolls Royce Cullinan në orët e para të mëngjesit të së shtunës pasi ai kaloi një semafor me dritë të kuqe në qytetin e Milanos.

Pas ndaljes, mesfushori kroat u detyrua të frynte në instrumentin për matjen e alkoolit dhe u vërtetua një përmbajtje alkooli mbi kufirin e lejuar ligjor.

Il Corriere gjithashtu pretendon se 27-vjeçari ishte duke garuar me një veturë me targa gjermane para ndaljes nga policia.

Tani mbetet të shihet nëse Antonio Conte do ta thërrasë atë për ndeshjen e Interit kundër Torinos nesër (e hënë). /Telegrafi/