Presidenti i zgjedhur i SHBA, Donald Trump ka mohuar raportimet se skuadra e tranzicionit për në Shtëpinë e Bardhë ka probleme.
Ai tha se procesi i përzgjedhjes së kabinetit të tij po shkon shumë mirë.
Megjithatë, Trump ka zëvendësuar guvernatorin e Nju Xhersit, Chris Christie dhe zëvendëspresidentin Mike Pence nga skuadra e tranzicionit.
Thuhet se shkak është bërë dhëndri i Trump, Jared Kushner.
Kushner është bashkëshorti i Ivanka Trump dhe djalë i një milioneri.
Christie ishte prokuror i përgjithshëm në Nju Xhersi kur babai i Kushner u gjykua dhe u dënua me burg për evazion fiskal, kontribute të paligjshme në fushatë dhe ndërhyrje tek dëshmitarët.
Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Rudolph Giuliani, që thuhet se do marrë postin e Sekretarit të Shtetit, deklaroi se tranzicioni është një proces kompleks dhe fërkimet janë normale.
Por edhe e shoqja e Jared Kushner, Ivanka është nën kritika nga mediat.
Gjatë një interviste televizive në krah të babait, 35-vjeçarja mbante një byzylyk të shtrenjtë në krah.
Bëhej fjalë për një bizhuteri të kompanisë së saj.
Teksa ajo e ekspozonte gjatë intervistës, kompania bënte reklamë me foton e saj.
Byzylyku kushton 10.800 dollarë.
“Po ndodh që tani: familja Trump e sheh presidencën si një mundësi për marketing,” shkroi gazetari Eric Lipton i NYTimes.
Mediat shkruajnë se problemi më i madh i presidentit të ri do jenë sipërmarrjet e tij, që do krijojnë konflikt interesi me detyrën. /mapo.al/