Shumë lagje në Tetovë kanë problem me rrjetin e kanalizimit fekal dhe atmosferik. Reshjet e shiut gjithnjë shkaktojnë telashe të kësaj natyre në disa zona, kryesisht në rrugët dytësore. Problem i kësaj natyre është paraqitur në lagjen Reçicë e vogël në rrugën 166 që ndodhet afër dy universiteteve të Tetovës. Me këtë rast janë vërejtur shumë qytetarë të cilët kanë dalë për të shmangur përmbytjet nëpër shtëpitë e tyre, ndërsa edhe rruga është vërshuar me ujë dhe ka qenë pothuajse e pakalueshme. Banorët e kësaj lagje janë shprehur se duhet që komuna të merr masa për të rregulluar rrjetin e kanalizimit, sepse gjithnjë kur ka reshje atmosferike, shkaktohen vërshime.
“Kemi shumë problem me kanalizimin, sidomos kur ka reshje të shiut. Jemi të detyruar që të dalim menjëherë që të evitojmë vërshime më të mëdha nëpër shtëpitë tona. Më problem është gjatë natës kur ka reshje të shiut, sepse atëherë nuk mund të dalim që të parandalojmë që uji të hyjë nëpër shtëpitë tona”, thotë një banorë në këtë lagje të Tetovës.
Ata gjithnjë kanë kërkuar që autoritetet e Komunës së Tetovës të marrin më seriozisht këtë problem, sepse rrezikojnë që uji të shkaktojë shumë probleme në bodrumet e tyre. Janë rreth 100 shtëpi në këtë lagje që ankohen për këtë problem të madh që deri më tash nuk është zgjidhur. Kryesisht bëhet fjalë për lagje të re, ndërsa shtimi i objekteve të banimit ka bërë që edhe rrjeti i kanalizimit të mos mund të mbajë kaq numër të madh të amvisërive, sepse i njëjti është projektuar për më pak shtëpi banimi. Nga Ndërmarrja publike komunale “Tetova” – Tetovë thonë se kanë dalë në teren dhe kanë rregulluar problemin në këtë lagje.
“Kemi marrë ankesa nga qytetarët se në rrugën 166 ka problem me rrjetin e kanalizimit dhe kemi dërguar ekipet tona. Punëtorët tanë kanë punuar në rregullimin e rrjetit të kanalizimit dhe më pas situata është stabilizuar”, thonë nga Ndërmarrja publike komunale “Tetova” – Tetovë.
Nga kjo ndërmarrje pohojnë se gjatë kohës së të reshurave të tepërta nga pjesët e epërme të qytetit, vjen sasi e madhe e ujit e cila nuk derdhet në lum por vërshon në rrugët e qytetit.
“Këto ujëra hyjnë në kanalizim bashkë me ujërat në qytet, por nuk mund të thithen në rrjetin e kanalizimit dhe sërish dalin në sipërfaqe prandaj kemi havari të shpeshta në situatë kur ka të reshura. Me këtë problem do të përballemi edhe në të ardhmen. Sasia e ujit gjatë reshjeve që vjen nga mali gjithmonë është tepër e madhe dhe vështirë kontrollohen. Po ashtu kësaj situate i ka ndihmuar edhe zgjerimi i qytetit, shtimi enorm i amvisërive ndërsa kanalizimi i vjetruar nuk mund të përballojë këtë shtim të amvisërive, sepse është projektuar para shumë viteve”, theksojnë nga kjo ndërmarrje.
Ndryshe, si rrugë ku më së shumti krijohen havari në kanalizimin fekal gjatë reshjeve janë bulevardi “Ilinden”, “Kiro Ristovski Dërnc”, “Bllagoja Toska” afër kazermës ku gjatë reshjeve kjo pjesë e qytetit bëhet e pakalueshme për automjetet dhe për këmbësorët. Po ashtu apelohet që në rastet kur ka problem në rrjetin e kanalizimit qytetarët menjëherë të lajmërojnë ndërmarrjen publike./Koha/