Site icon Telegrafi

“Më problematik se ai i vitit 2013, nuk do ta kalojë testin e Kushtetueses”, Shala dhe Bytyqi komentojnë draftin e Asociacionit

Asdren Shala nga Partia Socialdemokrate duke folur për draftin statutin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe, ka thënë se për PSD-në ky draft-statut është më problematik sesa ai i vitit 2013. Kjo pasi sipas tij, ky draft i kalon kornizat e marrëveshjes së vitit 2013.

Më tej, Shala ka ka deklaruar se “neni më problematik në këtë draft statut është aty se sa herë ka mospajtime mes Republikës së Kosovës dhe Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, atëherë do të vendoset për këtë problem një arbitrazh që vijnë nga Komisioni Evropian”.

“Ky draft i Asociacionit nëse zbatohet, që me shumë gjasë Qeveria e Kosovës po e pranon këtë draft-statut që është publikuar në media, atëherë Kosova praktikisht po e krijon një shtet etnik brenda një shteti multietnik”.

Ai tutje ka thënë se Asociacioni do të ketë çdo gjë që ka një shtet përveç pozitës së presidentit.

Ndërsa, profesori Seb Bytyqi, për RTV Dukagjini, ka thënë se nëse ky draft-statut që është publikuar është i vërtetë, atëherë do të krijohet një organizatë mjaft komplekse.

“Ka disa kompetenca rajonale dhe në aspektet e tjera është në përputhje me kërkesat e Kosovës që të mos ketë kompetenca rajonale”, ka thënë Bytyqi.

Më tutje, ka thënë se ky Asociacion do të nxjerrë rregullore, që sipas tij, janë akte ligjore.

“Nuk e besoj që do ta kalojë testin e Gjykatës Kushtetuese. Ky Asociacion mund të nxjerrë udhëzime dhe opinione për komunat anëtare, mirëpo rregulloret nxirren si aktet nënligjore nga Ministritë dhe nuk besoj që kjo do t’i lejohet”, ka theksuar profesori.

Sipas tij, në këtë draft-statut bëhet fjalë për kompetenca ekzekutive./Dukagjini/

Exit mobile version